Mbrojtja e të dhënave personale, kontrollues publik të përgjegjshëm dhe transparent

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi takimin për “Prezantimin e rezultateve të Pyetësorit për vlerësimin e njohurive të autoriteteve publike në lidhje me të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm mbi 100 përfaqësues dhe nëpunës të mbrojtjes së të dhënave personale nga institucione qendrore, të pavarura dhe të vetëqeverisjes vendore. Ky Pyetësor u lançua si pjesë e iniciativave të Zyrës së Komisionerit në kuadër të 28 Janarit, Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Nëpërmjet tij, institucionit i është mundësuar një panoramë e gjerë për nivelin e njohurive të administratës në lidhje me garantimin e të drejtës kushtetuese për mbrojtjen e të dhënave personale nga kontrolluesit publik. Gjithashtu, Pyetësori synon vlerësimin edhe zbatimin e detyrimeve të kuadrit ligjor në fuqi, i cili rregullon procesin e përpunimit të të dhënave personale të qytetarëve.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi se “ofrimi i shërbimeve online dhe zhvillimi i teknologjisë, imponojnë një reformë të plotë dhe të strukturuar edhe në këtë fushë. Hapi i parë është modernizimi i legjislacionit, proces i cili do të përmbyllet brenda këtij viti. E rëndësishme është, gjithashtu, dhe edukimi me parimet e mbrojtjes së të dhënave personale, ku Zyra e Komisionerit synon integrimin e tyre në sistemin arsimor të vendit.

Rezultatet e Pyetësorit u prezantuan nga Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj. Pjerina Gaxha. Zyra e Komisionerit konstaton se niveli i njohjes së legjislacionit është jo i duhuri dhe sidomos, kërkohet vëmendje e shtuar për rritjen profesionale nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme. Pjesë e aktivitetit ishte edhe një prezantim për “nëpunësin e mbrojtjes së të dhënave personale”, funksion i cili me legjislacionin e ri të fushës do të ketë rol specifik brenda strukturës së autoriteteve publik apo subjekteve private që mbledhin dhe përpunojnë të dhëna.

Të plotë rezultatet e Pyetësorit i konsultoni këtu.