“Dita e Transparencës” me Autoritete Publike të qarkut të Beratit

Në kuadër të iniciativës “Ditët e Transparencës”, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë së Madhe, zhvilluan në Berat takimin e tretë të kësaj iniciative, me institucionet publike të këtij qarku. Garantimi i të drejtës për akses në informacionin/dokumentacionin publik nëpërmjet nxitjes së transparencës proaktive dhe llogaridhënies së Autoriteteve Publike përmirësojnë ndjeshëm edhe shërbimet për qytetarët.

Në këtë aktivitet morën pjesë Komisioneri, z. Besnik Dervishi, znj. Mia Marzouk, Zv/ambasador i Britanisë së Madhe, znj. Valbona Zylyftari, Prefekt i Qarkut, drejtues/përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore, të institucioneve të sistemit të drejtësisë, strukturave rajonale të institucioneve të varësisë dhe koordinatorët e tyre për të drejtën e informimit.

Gjatë takimit u vlerësua ecuria e përmbushjes së detyrimeve të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” nga këto institucione. Nga monitorimi dhe analiza e situatës, Zyra e Komisionerit ka konstatuar nevojë për një angazhim më të madh në përditësimin e vazhdueshëm të Programit të Transparencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve. Në takim u kërkua nga koordinatorët dinamikë për rritjen e cilësisë në procesin e trajtimit të kërkesave për informacion nga qytetarët apo grupet e interesit, si dhe bashkëpunim konstant me ta për forcimin e kulturës së transparencës.

Stafi i Zyrës së Komisionerit shpërndau për qytetarët materiale ndërgjegjësuese për ushtrimin në praktikë të të drejtës për informim, në disa stenda informuese.