Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale përzgjidhet si organizatore e edicionit të 15-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners-ICIC) që mbahet në vitin 2024. Me votim unanim anëtarësia e organizatës miratoi, gjatë punimeve të Sesionit të Mbyllur të Konferencës së Meksikës, propozimin e Komitetit Ekzekutiv.
Besimi për organizimin e këti aktiviteti është një përgjegjësi për Zyrën e Komisionerit, për promovimin e kulturës së transparencës dhe mirëqeverisjes në Shqipëri dhe më gjerë, në rajonin tonë. Nga ana tjetër, mbajtja e Konferencës së ICIC në 2024 është gjithashtu, një simbolikë e fortë për një vend ku mendësia e fshehtësisë së administratës shtetërore ka rrënjë të thella dhe ku po bëhen përpjekje për një shoqëri më të hapur, falë sinergjive të përbashkëta të autoritetit mbikëqyrës, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe publikut të gjerë. Edicioni i 15-të i ICIC do të jetë pikë e rëndësishme takimi për avancimin e objektivave të organizatës, duke siguruar lidhje të qëndrueshme me Konferencat e mëparshme, nëpërmjet gjithëpërfshirjes së anëtarësisë së saj.
Eksperienca e përfituar në organizimin e takimeve madhore botërore, si në rastin e Asamblesë Globale të Privatësisë të vitit 2019, dëshmoi mundësitë dhe aftësitë e një autoriteti të vogël por dinamik. Konferenca e ICIC 2024 do të jetë kontribut, jo vetëm, për promovimin e vendit, mikpritjes së tij, por edhe angazhim për forcimin e zbatimit të një të drejte e lirie themelore dhe zgjerimin e transparencës së autoriteteve publike.