3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Marrëveshje Bashkëpunimi me Autoritetin homolog të Maltës

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Autoriteti homolog për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Maltës nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi.

Qëllimi i saj është forcimi dhe thellimi i njohurive e eksperiencës në drejtim të mbikëqyrjes së legjislacionit të mbrojtjes së të dhënave personale, sidomos, në optikën e modernizimit të kuadrit rregullator shqiptar në këtë fushë sipas standardeve të GDPR. Marrëveshja u nënshkrua nga z. Besnik Dervishi dhe homologu i tij z. Ian Deguara, ndërsa ata morën pjesë në punimet e takimit të rradhës të Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (European Data Protection Board-EDPB), në Bruksel.

Dokumenti parashikon, që në kontekstin e një ekonomie gjithnjë e më të globalizuar, më ndërvepruese dhe më të përparuar tenkologjikisht, të zgjerohet bashkëpunimi në drejtim të flukseve ndër-kufitare të të dhënave personale; shkëmbimit të informacionit, praktikave e përvojave më të mira për përmirësimin e kapaciteteve administrative; organizimin e aktiviteteve/projekteve të përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit në këtë fushë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj Marrëveshje është edhe bashkëpunimi në funksion të Konventës 108 të Këshillit të Evropës dhe asistenca reciproke për modernizimin e vazhdueshëm të legjislacionit sipas modeleve më bashkëkohore. Nënshkrimi i këtij dokumenti është një tjetër moment i rëndësishëm për rolin e Zyrës së Komisionerit në kuadër të konsolidimit të marrëdhënieve të saj ndërkombëtare.