3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Procesi i integrimit evropian, kontribut aktiv i Zyrës së Komisionerit

Gjatë dy javëve të fundit të muajit shtator 2022, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka marrë pjesë aktive në një seri takimesh në Bruksel, në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Më datë 27 shtator u mbajt në kryeqytetin belg takimi për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”. Delegacioni shqiptar drejtohej nga Ministri i Shtetit dhe Kryenegociatori, znj. Majlinda Dhuka, ndërsa Zyra e Komisionerit u përfaqësua me znj. Pjerina Gaxha, Drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Po ashtu, në datat 12 dhe 13 shtator Komisioneri, z. Besnik Dervishi, mori pjesë në mbledhjen e Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB). Ky organizëm është institucioni i ngarkuar për trajtimin në mënyrë të unifikuar të legjislacionit të fushës në BE, njohur ndryshe si GDPR, në raport me problematikat që hasen/konstatohen gjatë zbatimit të tij në praktikë në të gjitha vendet anëtare.

Ndërkohë, Zyra e Komisionerit ka marrë pjesë edhe në dy takime të tjera të mbajtura në Bruksel po gjatë këtij muaji, si pjesë e çeljes së negociatave me BE. Kështu, është raportuar në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, liria, siguria” nga përfaqësuesja e institucionit, znj. Blerta Xhako, Drejtor i Çështjeve Juridike dhe Integrimit. Nga ana tjetër, është raportuar edhe në kuadër të procesit screening për Reformën në Administratën Publike, nga znj. Elona Hoxhaj, Drejtor i Përgjithshëm i të Drejtës për Informim.

Zyra e Komisionerit është e fokusuar në përmbushjen me korrektësi të detyrimeve që burojnë nga procesi i negociatave të anëtarësimit në BE.