Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte e ftuar në Konferencën e 3-të Rajonale “Iniciativa 2020” të zhvilluar në Strugë në datat 6-7 tetor 2022.
“Iniciativa 2020” është një nismë bashkëpunimi e iniciuar nga Komisioneri slloven për të Drejtën e Informimit në vitin 2020 dhe bëri bashkë, për herë të parë, autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Kjo iniciatë ka për qëllim forcimin e ndërveprimit institucional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në promovimin e të drejtës për informim.
Tematika e aktivitetit 2-ditor të mbajtur në Strugë ishte “Transparenca Proaktive dhe Konventa e Tromsos” (Konventa 205 e Këshillit të Evropës [KiE] “Për aksesin në dokumente zyrtare”), ku Zyra e Komisionerit ndau me të pranishmit eksperiencën shqiptare në promovimin e të drejtës për informim dhe në veçanti, të transparencës proaktive të autoriteteve publike. Prezantimi i Zyrës së Komisionerit u cilësua si vlerë e shtuar për aktivitetin nga autoritetet homologe dhe organizatorët e kësaj konference, e cila u mbështet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Zyra e Këshillit të Evropës në Maqedoninë e Veriut.
Më shumë informacion në lidhjen.