3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

“Dita e Transparencës” në Durrës me Autoritete Publike të Qarkut

Në qytetin e Durrësit u mbajt takimi i 5-të në kuadër të nismës “Ditët e Transparencës” të Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me autoritete publike që e ushtrojnë veprimtarinë në këtë qark. Kjo iniciativë zhvillohet në bashkëpunim me ambasadën e Britanisë së Madhe në Shqipëri dhe ka për qëllim nxitjen dhe forcimin e transparencës proaktive të institucioneve dhe ushtrimin në praktikë të të drejtës nga qytetarët për akses në informacionin/dokumentacionin publik.

Në këtë takim morën pjesë Komisioneri, z. Besnik Dervishi, z. Emiljan Jani, Prefekti i Qarkut, z. Gentian Kallmi, Zv/kryetar i Bashkisë Durrës, drejtues dhe përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore, të institucioneve të sistemit gjyqësor, Prokurorisë, Policisë së Shtetit, strukturave rajonale të institucioneve të varësisë, si dhe koordinatorët e tyre për të drejtën e informimit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Komisioneri vlerësoi se transparenca dhe llogaridhënia ndikojnë në përmirësimin e ndjeshëm të shërbimeve për qytetarët. “Qarku i Durrësit është nga më të rëndësishmit në funksion të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit dhe në këtë këndvështrim, autoritetet publike duhet të paraqesin një standard të lartë të transparencës” – tha z. Dervishi.

Zyra e Komisionerit prezantoi gjetjet e monitorimeve për zbatueshmërinë e detyrimeve që përcaktohen në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” nga autoritetet publike të këtij qarku. Nga konstatimet dhe analiza e situatës kërkohet një angazhim më i madh prej tyre në kuadër të përgjegjshmërisë dhe integritetit, si elemente të rëndësishëm në funksion të transparencës proaktive. Njëkohësisht, duhet t’i kushtohet vëmendje përditësimit periodik të Programit të Transparencës dhe Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, ashtu si edhe dinamizëm nga koordinatorët për rritjen e cilësisë së procesit të trajtimit të kërkesave për informacion. Qasja bashkëpunuese me qytetarët apo grupet e interesit do të ndikojë në forcimin e kulturës së transparencës, pjesëmarrjes dhe mirëqeverisjes së institucioneve publike.