Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për të drejtën e informimit””, si dhe dokumentacionin shoqërues (Relacioni shpjegues, Raporti i vlerësimit të ndikimit dhe Dokumenti konsultativ).
Këto ndryshime synojnë përmirësimin e ligjit ekzistues dhe janë produkt i një procesi të filluar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale që në vitin 2018, fillimisht si pjesë e Projektit të Binjakëzimit Antikorrupsion Shqipëri-BE. Më pas, kontribut në këtë inciativë kanë dhënë Përfaqësia në Shqipëri e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zyra në Tiranë e Këshillit të Evropës (KiE) me anë të ekspertëve vendas e të huaj, me të cilët ka bashkëpunuar Zyra e Komisionerit. Paralelisht, institucioni ka zhvilluar takime e aktivitete konsultative me organizata të shoqërisë civile dhe median, ku janë diskutuar opsionet më të përshtatshme për përmirësimin e legjislacionit për të drejtën e informimit dhe sugjerimet e mbledhura janë reflektuar në projektaktin e hedhur për konsultim. Nga ana tjetër, organizma ndërkombëtarë kanë lënë rekomandime të vazhdueshme mbi përmirësimin e nivelit të transparencës së autoriteteve publike shqiptare, si Raporti i Komisionit Evropian, Raporti i monitorimit të OECD/SIGMA për vitin 2021, Raporti i vlerësimit Greco për vitin 2020, rekomandime të lëna në Nënkomitetin e Komisionit Evropian për zbatimin e Reformave të Mirëqeverisjes dhe Administrimit Publik, etj.
Projektligji dhe dokumentacioni shoqërues mund të konsultohet në këtë lidhje.
Zyra e Komisionerit fton dhe njëherë të gjithë grupet e interesit – shoqëri civile, gazetarë/media apo qytetarë – që, të japin kontributin e tyre në përmirësimin e mëtejshëm të projektaktit, duke dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë propozimet deri më 15.11.2022.