3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës anëtarësohet në ICIC

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e Republikës së Kosovës bëhet anëtare me të drejta të plota e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners-ICIC).

Komiteti Ekzekutiv, që është forumi drejtues i organizatës dhe ku Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është anëtare e tij prej majit të vitit 2021, i mbledhur këtë të martë, pas shqyrtimit të dokumentacionit përkatës ka marrë vendimin unanim për pranimin e kandidaturës së AIP. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm për autoritetin homolog të Kosovës në rrugën e tij për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare të fushave të përgjegjësisë, me qëllim përfitimin e eksperiencës në zbatimin e standardeve më bashkëkohore për ushtrimin praktik të të drejtave të qytetarëve. Zyra e Komisionerit e ka mbështetur dhe do të vijojë t’i mbështesë këto përpjekje të AIP, jo vetëm për shkak të marrëdhënies së veçantë institucionale, por edhe si një nga angazhimet e parashikuara në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të nënshkruar në Tiranë në prill të 2022.

Në këtë mbledhje, Komiteti Ekzekutiv ka miratuar edhe anëtarësimin me të drejta të plota në ICIC të Komisionerit të Informimit të Pakistanit dhe si vëzhgues, Shërbimin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale të Gjeorgjisë. Me këtë vendimmarrje, shkon në 80 numri i autoriteteve kombëtare/rajonale anëtare dhe 2 me statusin e vëzhguesit në këtë organizatë nga të gjithë pjesët e globit (Evropa, Amerikat, Afrika, Azia dhe Oqeania).