28 Janar 2023 – Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

28 Janari është Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në botë njihet si Dita e Privatësisë – Privacy Day.

Njohja, ndërgjegjësimi dhe promovimi në tërësi i të drejtave dhe lirive themelore të individit është një nga detyrat kryesore të autoriteteve publike për forcimin e vetëdijes qytetare. Një shoqëri demokratike e shëndetshme nuk mund të kuptohet pa një proces të vazhdueshëm edukativ për kultivimin e kulturës në ushtrimin praktik të këtyre të drejtave. Në këtë kontekst, e sidomos duke marrë në konsideratë përparimin teknologjik dhe digjitalizimin, mbrojtja e të dhënave personale është shumë e rëndësishme dhe në themel të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë. Kjo qasje ka për qëllim të rrisë përgjegjshmërinë si në sferën publike, ashtu edhe në atë private, për ofrimin e shërbimeve me cilësi, të sigurta dhe transparente.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të aktiviteteve për Javën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, ka përgatitur një video dhe një poster elektronik. Këto materiale ndërgjegjësuese iu shpërndanë autoriteteve (kontrollues) publike qendrore e të varësisë, të pavarura apo të vetëqeverisjes vendore për t’u publikuar në faqet zyrtare të internetit, si dhe subjekteve mediatike publike e private për t’u transmetuar në kanalet audiovizuale.

Video ndërgjegjësuese

Njëkohësisht, Zyra e Komisionerit përgatiti dhe shpërndau në platformat/rrjetet sociale një poster me fokus të rinjtë për ndërgjegjësimin e tyre në përdorimin e sigurt të internetit.

Më 28 janar 1981 u miratua nga Këshilli i Evropës Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”. Vendi ynë e ka përfshirë në legjislacionin kombëtar këtë dokument, me miratimin e ligjit nr. 9288/2004. Konventa është modernizuar në maj të vitit 2018 (Konventa 108+) me miratimin e Protokollit CETS No. 223, i cili u nënshkrua në 28 janar 2022 edhe nga Shqipëria dhe është bërë pjesë e legjislacionit kombëtar nëpërmjet ligjit nr. 49/2022.