Sistemi arsimor, epoka digjitale në raport me mbrojtjen e të dhënave personale

Në epokën digjitale, përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale është i ndërlidhur me marrjen e masave të duhura për sa i përket sigurisë së pajisjeve dhe sistemeve.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, organizuan aktivitetin e dytë në kuadër të projektit “Siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave”, kësaj rradhe me fokus institucionet e arsimit të lartë (IAL). Në të morën pjesë studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës së Universitetit të Tiranës.

Në përshëndetjet e rastit, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, por edhe Dekani, z. Spiro Drushku, theksuan domosdoshmërinë e ndërveprimit mes hallkave/strukturave të kontrolluesve publikë apo privatë, për garantimin e plotë të të drejtave të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve të sigurta.

Për të pranishmit referoi eksperti i kësaj fushe, z. Emirjon Marku, i cili kombinoi trajtimin e kuadrit rregullator kombëtar me shembuj nga praktika në sektorit arsimor. IAL konsiderohen ndër kontrolluesit e mëdhenj për shkak të llojit dhe sasisë së të dhënave personale që përpunojnë, duke patur parasysh, edhe numrin e lartë të individëve të përfshirë në këtë proces. Në vlerësim të kësaj pozite, është e rëndësishme që të kuptohet se marrja e masave tekniko-organizative, përfshi edhe një mjedis digjital/kibernetik të sigurt, ndikon në parandalimin dhe minimizimin e rasteve të cenimit të të dhënave personale.

Një temë tjetër e rëndësishme që u diskutua ishte kontributi i IAL për të iniciuar përmbajtje ndërdisiplinore dhe metodologji të reja në procesin e mësimdhënies apo në kurrikulat e tyre, si brenda strukturës arsimore ashtu edhe në bashkëpunim me palë/aktorë të tjerë të fushës së mbrojtjes së të dhënave personale. Zyra e Komisionerit ka një bashkëpunim tradicional me universitetet publike dhe private në drejtim të ndërgjegjësimit të brezit të ri, në përgjithësi, por veçanërisht, në nxitjen e edukimit për përgatijen e profesionistëve të së ardhmes.