Forcimi i transparencës proaktive për qeverisje të hapur

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka nisur me takimin në Entin Rregullator të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujrave të Ndotura (ERRU) zbatimin e projektit “Transparenca proaktive e institucioneve të pavarura”. Kjo iniciativë ka për qëllim që nëpërmjet komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë të nxisë përmirësimin e instrumentit të Programit të Transparencës të këtyre autoriteteve publike, përgjegjshmërinë në funksionimin e tyre dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, theksoi se qasja e Zyrës është fokusuar te ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi me autoritetet publike, po aq sa edhe te trajnimet e vazhdueshme të stafeve të tyre, për krijimin e kulturës së transparencës dhe qeverisjes së hapur. “Ky projekt është bazuar mbi përvojën pozitive që Zyra e Komisionerit ka nga një iniciativë e ngjashme me organet e vetëqeverisjes vendore. Projekti është i ndërtuar mbi tre komponentë: ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe autoriteteve publike; trajnimin e nëpunësve dhe diskutimin e problematikave; zgjidhjen/trajtimin e rasteve praktike gjatë ushtrimit të funksioneve institucionale”.

Nga ana e tij, Kryetari i ERRU, z. Ndriçim Shani, e vlerësoi iniciativën dhe tha se “i kemi dhënë rëndësinë e duhur transparencës dhe komunikimin me publikun për mbrojtjen e interesave të tij. Vëmendja është maksimale për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës, duke përmirësuar dhe përditësuar në vazhdimësi aktet, procedurat dhe formatet”.

Më tej në këtë takim, u diskutua mbi eksperiencën dhe praktikën e ERRU në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, plotësimit e përditësimit të Programit të Transparencës, Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve apo dhe procesi i trajtimit të kërkesave të qytetarëve dhe grupeve të interesit. Nga ana tjetër, ndryshimet dhe përmirësimet e legjislacionit të kësaj fushe mundësojnë forcimin e rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit brenda strukturës institucionale, si dhe përcaktimin e saktë dhe konkret të përgjegjësive të çdo nëpunësi të autoritetit publik.