Mbrojtja e të dhënave personale në sistemin shëndetësor, në kuadër të projektit me organizatën ASDO

Mbrojtja e të dhënave personale në sistemin shëndetësor, në kuadër të projektit me organizatën ASDO

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm (ASDO), me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, organizuan aktivitetin e 3-të në kuadër të projektit “Siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave”. Në këtë tryezë njohëse, të pranishëm ishin përfaqësues dhe/ose nëpunës të mbrojtjes së të dhënave nga institucione publike apo subjektet private që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sistemin shëndetësor.

Qëllimi i këtij aktiviteti është rritja e ndërgjegjësimit të kontrolluesve që operojnë në këtë sektor për detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga zbatimi i legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë edhe risitë në kuadër të përafrimit të tij me acquis të Bashkimit Evropian (GDPR). Zyra e Komisionerit u përfaqësua në këtë aktivitet me znj. Besa Velaj, Drejtor i Kabinetit, e cila i njohu të pranishmit me specifikat rregullatore për sistemin e shëndetësisë (aktet ligjore/nënligjore dhe orientuese), si dhe me veprimtarinë mbikëqyrëse të autoritetit.

Për të pranishmit referoi eksperti i fushës, z. Emirjon Marku, i cili kombinoi trajtimin e kuadrit ligjor me shembuj praktikë nga ky sektor, në optikën e respektimit të të drejtave të qytetarëve në trajtimin shëndetësor apo ofrimin e shërbimeve të ndryshme. Në epokën digjitale, përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale është i ndërlidhur me krijimin dhe përditësimin e mekanizmave të duhura për sa i përket sigurisë së pajisjeve dhe sistemeve, por edhe në ndërveprimin mes hallkave/strukturave të institucionit/subjektit shëndetësor. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të kuptohet se zbatimi i masave të domosdoshme tekniko-organizative, sidomos në krijimin e një mjedisi digjital/kibernetik të sigurt, ndikon në parandalimin apo minimizimin e rasteve të cenimit të të dhënave personale të qytetarëve. Nga ana tjetër, edhe ndërgjegjësimi i secilit prej nesh, si qytetar, ka ndikim në garantimin e një procesi të ligjshëm në përpunimin e të dhënave personale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *