Legjislacioni i ri për mbrojtjen e të dhënave personale, forumi i biznesit nga Dhoma Amerikane e Tregtisë

Me tematikë “Siguria kibernetike, agjenda digjitale dhe mbrojtja e të dhënave personale” u organizua nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) një forum biznesi, ku e ftuar ishte dhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në fokus të diskutimeve ishin risitë e zbatuara në këtë fushë, legjislacioni i ardhshëm kombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale, ndikimi i kuadrit rregullator evropian apo edhe më gjerë në komunitetin e biznesit, si dhe sfidat në lidhje me sigurinë kibernetike në epokën digjitale.

Zyra e Komisionerit u përfaqësua në këtë takim me znj. Besa Velaj, Drejtor i Kabinetit. Ajo prezantoi procesin e hartimit të legjislacionit të ri në këtë fushë, i cili transpozon tërësisht Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR). Kuadri i ardhshëm rregullator rrit kontrollin e qytetarëve mbi përpunimin e të dhënave të tyre personale, duke iu përgjigjur zhvillimeve të teknologjisë në epokën digjitale. Nga ana tjetër, legjislacioni i ri do të rrisë detyrimet për kontrolluesit/përpunuesit përsa i përket elementëve të tillë, si: informimi dhe marrja e pëlqimit nga individët; etika, integriteti dhe përgjegjshmëria në proceset përpunuese; për masat e sigurisë; futjen e koncepteve inovative: e drejta për t’u harruar, transferueshmëria e të dhënave, privatësia në projektim dhe në mënyrë të paracaktuar (privacy by default and by design); etj. Një aspekt tjetër i tij është edhe forcimi i rolit dhe funksioneve të Zyrës së Komisionerit, në garantimin e ushtrimit praktik të kësaj të drejte dhe lirie themelore të individit. Miratimi nga Kuvendi i kuadrit të ardhshëm rregullator vendos standarde bashkëkohore, për një zhvillim të qendrueshëm ekonomiko-shoqëror, si dhe do të rrisë besimin e qytetarëve ndaj kontrolluesve publik/privat në raport me shërbimet që ata ofrojnë.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë