3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Takimi i 14-të i Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, kontributi i Zyrës së Komisionerit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në mbledhjen e 14-të të Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit Shqipëri-Bashkimi Evropian.

Takimi u bashkëdrejtua nga znj. Adea Pirdeni, Zëvendësministër i Drejtësisë dhe znj. Michela Matuella, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë së BE. Zyra e Komisionerit raportoi mbi çështjet që kanë të bëjnë me:

  • përafrimin e legjislacionit shqiptar për mbrojtjen e të dhënave me acquis të BE;
  • efikasitetin dhe pavarësinë e institucionit të Komisionerit,
  • aksesin dhe sigurinë e të dhënave të ruajtura në bazat e të dhënave shtetërore.

Gjatë këtij takimi, ekspertët e BE vlerësuan pozitivisht veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit në ushtrimin dhe përmbushjen e kompetencave ligjore për rastet e cenimit të të dhënave personale të qytetarëve të ndodhura vitet e fundit. Gjithashtu, u theksua kontributi dhe angazhimi serioz i institucionit dhënë në procesin e përafrimit të kuadrit rregullator shqiptar të mbrojtjes së të dhënave personale me acquis të BE, si dhe u shpreh mbështetja maksimale për finalizimin e tij.