3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

“Roli global i të drejtës për informim për konsolidimin e demokracisë”, Konferenca e 14-të e ICIC

Ndërveprimi mes shteteve: Roli global i të drejtës për informim për konsolidimin e demokracisë, gjithëpërfshirjen dhe zhvillimin” ishte tematika e edicionit të 14-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners-ICIC). Ky është aktiviteti kryesor vjetor botëror që mbledh komunitetin e profesionistëve të fushës së aksesit në informacionin me karakter publik, në fokus të të cilit është forcimi i transparencës dhe integritetit të autoriteteve publike. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të autoriteteve anëtare/vëzhguese të organizatës nga të gjitha kontinentet, por edhe nga organizma partnere, bota akademike, shoqëria civile, media, etj.

Përgjatë 2 ditëve të punimeve të Sesionit të Hapur pjesëmarrësit diskutuan për çështje të rëndësishme, si: forcimin e veprimtarisë së institucioneve mbikëqyrëse të të drejtës për informim; aksesin në informacion si një përgjigje ndaj sfidave moderne të demokracisë, apo rolin e kësaj të drejte në nxitjen e zhvillimit ekonomiko-shoqëror. Tema të tjera me interes për pjesëmarrësit ishin edhe ato që kanë të bëjnë me: prokurimet publike transparente që ndikojnë në efektivitetin e kostove për ekonominë; keqinformimi, rreziqet dhe përdorimi i inteligjencës artificiale; si dhe krahasimi i modeleve të ndryshme rregullatore dhe nevoja për përmirësimin/forcimin e standardeve ligjore. Gjithashtu, të pranishmit morën pjesë edhe në takime të rrjeteve e grupeve rajonale apo në seminare/workshope paralele, ku u diskutua mbi ndërveprimin e organizmave publike me sektorin privat në kuadër të transparencës; trajtimin e rasteve në optikën e të drejtës për informim që lidhen me problematikat me bazë gjinore apo për grupet e cenueshme.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është përzgjedhur si organizatore e ardhshme e këtij forumi, në vitin 2024. Komisoneri, z. Besnik Dervishi, mbajti një fjalë përshëndetëse ku tha se zhvillimi i kësaj Konference për herë të parë në Tiranë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm. “Ne udhëhiqemi nga vizioni i përbashkët për promovimin e ushtrimit të të drejtës për informim dhe transparencës në një mjedis gjithnjë e më shumë të ndërlidhur. Besojmë se këto vlera janë thelbësore për zhvillimin e shoqërive demokratike” – theksoi ai. Me këtë rast, u paraqit edhe një video-prezantim për Konferencën e ardhshme.

Video-prezantimi ICIC-2024

Në punimet e Sesionit të Mbyllur të ICIC u raportua rreth veprimtarisë së 12 muajve të kaluara dhe u miratua Raporti Vjetor; ashtu si dhe u realizuan raportimet respektive të grupeve të punës apo rajonale mbi zhvillimet në këtë fushë. Zyra e Komisonerit është anëtare në dy nga Grupet e Punës, atë për promovimin e transparencës proaktive dhe mbi trajnimet. Sipas agjendës, u miratuan ndryshimet e propozuara në Kartën e Johanesburgut, u mbajtën zgjedhjet për anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv për periudhën 2023-2026, si dhe u diskutua në lidhje me ecurinë e bashkëpunimit strategjik ICIC-UNESCO.

Gjithashtu, u zhvillua edhe një mbledhje e Komitetit Ekzekutiv ku u paraqitën vlerësimet dhe konkluzionet për ecurinë e edicionit të 14-të të ICIC. Në këtë takim, Komisioneri Dervishi theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes institucioneve mbikëqyrëse, në funksion të rritjes së transparencës së autoriteteve publike.