Forum për rolin e Zyrës së Komisionerit në promovimin e të drejtës për informim

Me tematikën “E drejta e informimit në Shqipëri: vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, u zhvillua forumi për trajtimin e veprimtarisë institucionale nga këndvështrimi i studimeve akademike. Si nismë e mbështetur nga Zyra e Komisionerit, ky aktivitet u mbajt në kuadër të projektit të përbashkët të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), programit Ekspertiza Hulumtuese nga Diaspora Akademike (READ) dhe Fakultetit të Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Në këtë forum ishin të pranishëm përfaqësues nga bota akademike, shoqëria civile, si dhe koordinatorë për të drejtën e informimit të institucioneve qendrore e të pavarura.

Në fjalën e tij, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, vlerësoi nismën, duke theksuar domosdoshmërinë e nxitjes së projekteve të kësaj natyre në funksion të hapjes së autoriteteve publike. “Veprimtaria e Zyrës është udhëhequr nga promovimi i kulturës për respektimin e të drejtave të qytetarëve, si themel për një shoqëri demokratike, të zhvilluar, për institucione të përgjegjshme dhe transparente. Çdo kontribut që mbështet këtë frymë është i mirëpritur, nga bota akademike, organizata të shoqërisë civile apo grupet e interesit”.

Studiuesit ndanë me të pranishmit gjetje të projektit, që ka trajtuar veprimtarinë e institucionit për shqyrtimin e ankesave gjatë periudhës 2020-2022 dhe sidomos, vendimmarrjen e Komisionerit, në funksion të krijimit të praktikës dhe standardeve rregullatore në këtë fushë. Në këtë këndvështrim, u sollën për të pranishmit, edhe raste krahasimore nga përvoja në vende të Bashkimit Evropian. I organizuar në formën e një tryeze të rrumbullakët, në këtë forum u diskutua mbi forcimin e pavarësisë institucionale të Zyrës së Komisionerit, nxitjen e transparencës proaktive të autoriteteve publike apo fuqizimin e rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit.