3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Konferenca mbi digjitalizimin e proceseve zgjedhore

Në konferencën me temë “Digjitalizimi i proceseve zgjedhore, perspektivat mbi sigurinë kibernetike dhe koordinimin ndërinstitucional në Ballkanin Perëndimor” i ftuar ishte dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi.

Në fjalën e tij, të mbajtur në panelin “Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kryesore shtetërore e joshtetërore dhe institucioneve të administrimit të zgjedhjeve në mbrojtjen e integritetit dhe besueshmërisë së zgjedhjeve”, z. Dervishi theksoi se “fushat e përgjegjësisë së Zyrës së Komisionerit, e drejta për informim dhe ajo për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërlidhen me veprimtarinë e KQZ, si për transparencën ashtu dhe për zhvillimin e proceseve të rregullta zgjedhore. Në këtë këndvështrim, identifikimi daktiloskopik dhe votimi elektronik janë elementë të rëndësishëm në kuadër të digjitalizimit të zgjedhjeve, në funksion të ushtrimit të të drejtës së votës nga qytetarët shqiptarë. Ky proces zbatohet në harmoni me një tjetër të drejtë e liri themelore, atë të mbrojtjes së të dhënave të tyre personale. Kuadri ligjor shqiptar i fushës, por edhe aktet e rëndësishme ndërkombëtare – Konventa 108+ e Këshillit të Evropës dhe Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) e Bashkimit Evropian – përbëjnë garancitë e domosdoshme për adresimin e sfidave të procesit të digjitalizimit, për realizimin e të cilit kërkohet një bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve.

Ky aktivitet u bashkëorganizua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore (International IDEA) dhe Qendra për Sundimin e Ligjit të Universitetit të Helsinkit në Finlandë (Rule of Law Finland, University of Helsinki).