Hartimi i Kodit të ri Penal është një iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë (MD) për të sjellë harmoni dhe modernizim në legjislacionin penal kombëtar në fuqi, duke patur parasysh ndryshimet e shpeshta të kryera gjatë viteve në përmbajtjen e tij. Për këtë qëllim, u organizua një takimin konsultativ me përfaqësues të autoriteteve më të rëndësishme në rang kombëtar.
Në këtë aktivitet i ftuar ishte dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi. Ai vlerësoi dhe përkrahu iniciativën e MD për të krijuar një kuadër rregullator gjithëpërfshirës në fushën penale, që përputhet me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Veçanërisht, në lidhje me projektin për hartimin e Kodit të ri Penal, Zyra e Komisionerit ka paraqitur disa propozime, duke u bazuar në një analizë krahasimore me kodet penale të tre shteteve, atë gjerman, italian dhe francez, vende të cilat kanë të njëjtin sistem të së drejtës “Civil Law”. Kjo analizë krahasuese është kryer duke marrë në konsideratë, njëkohësisht, edhe raste nga praktika e punës në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale. Zyra e Komisionerit ka evidentuar dispozita të cilat kanë nevojë të adresohen edhe në projekt-Kodin e ri Penal. Propozimet i janë përcjellë grupit të punës, ndërkohë, Zyra e Komisionerit mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e saj institucional për përfundimin me sukses të iniciativës.