Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC).
Në këtë takim u trajtuan çështje të rëndësishme për mbarëvajtjen e veprimtarisë së organizatës: u prezantua Raporti i punimeve të edicionit të 14-të të Konferencës së ICIC, mbajtur gjatë muajit qershor; si dhe u dakordësua në parim ngritja e Komitetit të Planifikimit për organizimin e edicionit të 15-të ICIC në Shqipëri, në vitin 2024. Në lidhje me këtë çështje, përveç autoritetit të Meksikës (INAI) dhe Zyrës së Komisionerit, për t‘u bërë pjesë e tij shprehën interes edhe institucionet homologe nga Mbretëria e Bashkuar (ICO), Gjermania (BfDI), Afrika e Jugut (IR) apo Argjentina (OGDAI).
Në këtë mbledhje, me votim unanim të Komitetit Ekzekutiv u vendos që Zyra e Komisionerit të përfaqësojë ICIC në një prej paneleve të Konferencës për të Drejtat e Njeriut (Human Dimension Conference) të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), gjatë muajit tetor 2023 në Varshavë. Në këtë aktivitet, Zyra e Komisionerit do të referojë përvojën e saj në lidhje me zbatimin e Konventës 205 të Këshillit të Evropës (e njohur edhe si Konventa e Tromsos). Ky është një vlerësim për autoritetin shqiptar, për rolin dhe kontributin në kuadër të veprimtarisë së organizatës më të rëndësishme botërore në fushën e të drejtës për informim. Komiteti Ekzektutiv aprovoi edhe anëtarësimin e autoritetit të Sri Lankës në rradhët e ICIC.