3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Komisionet e përhershme të Kuvendit miratojnë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

Komisionet e përhershme të Kuvendit të Shqipërisë, ai për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ai për Ekonominë dhe Financat dhe ai për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjet e ditës së hënë dhe të martë diskutuan Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ishte i pranishëm në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, ku tha se përmirësimet e propozuara kanë si synim forcimin e transparencës dhe llogaridhënies së autoriteteve publike. Përgjatë diskutimeve u vlerësua procesi i konsultimeve nëpër të cilat kanë kaluar këto përmirësime/ndryshime. Veçanërisht, u theksua bashkëpunimi me grupet e interesit, për të arritur në një produkt ligjor modern dhe në funksion të interesit publik. “Projektligji i është nënshtruar një procesi të gjatë, pikërisht, për të përmirësuar mangësitë e konstatuara gjatë zbatimit të legjislacionit aktual. Gjatë kësaj periudhe, janë zhvilluar 17-18 takime konsultimi publik me përfaqësues nga OjF apo të medias investigative. Siç edhe mund ta konstatoni nga relacioni, kanë qënë edhe ata mjaft aktivë, kanë debatuar dhe kanë dhënë mendime e sugjerime, të cilat edhe janë reflektuar në këtë projektligj” – deklaroi ndër të tjera në fjalën e tij z. Dervishi.

 

Projektligji mban në konsideratë edhe standardet e Konventës së Këshillit të Evropës “Për aksesin në dokumentet zyrtare” (Konventa 205 e Tromsos), të miratuar vitin e kaluar nga Kuvendi. Ndryshimet dhe përmirësimet e propozuara do të forcojnë akoma edhe më shumë rregullat, procedurat dhe mekanizmat, duke ofruar zgjidhje optimale në njohjen me informacionin/dokumentacionin me karakter publik dhe ushtrimin e kësaj të drejte nga qytetarët në praktikë. Në përfundim të këtyre mbledhjeve, anëtarët e të tre Komisioneve të përhershme të Kuvendit miratuan Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.