3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Zbatimi i legjislacionit për të drejtën e informimit dhe ai për mbrojtjen e të dhënave personale, takime në Malësinë e Madhe

Në kuadër të bashkëpunimit mes Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u zhvillua në Bashkinë Malësia e Madhe takim njohës për zbatimin e legjislacionit në të dy këto fusha.

Në aktivitetin ndërgjegjësues me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve publike të kësaj zone, ishin të pranishëm Komisioneri, z. Besnik Dervishi, zyrtari i lartë ligjor i OSBE, z. Mauro Puzzo dhe Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, z. Tonin Marinaj. Në takim u theksua rëndësia e përmbushjes së detyrimeve ligjore në të dy fushatat e përgjegjësisë së Zyrës së Komisionerit, të cilat ndikojnë në rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes e nga ana tjetër, forcojnë përgjegjshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

                          

Në këtë aktivitet u trajtuan elemente të ndryshëm të kuadrit rregullator si në fushën e të drejtës për informim dhe në atë për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe mbi veprimtarinë monitoruese e mbikëqyrëse të Zyrës së Komisionerit. Gjithashtu, një vëmëndje e posaçme iu kushtua risive që do të sjellë legjislacioni i ardhshëm kombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale, që transpozon tërësisht Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR), ashtu si dhe ndryshimet dhe përmirësimet në ligjin “Për të drejtën e informimit”.

Aktiviteti përfshiu edhe komponentët e tjerë për ndërgjegjësimin e qytetarëve, nëpërmjet shpërndarjes së botimeve/fletëpalosjeve nga stafi i Zyrës së Komisionerit, si dhe shkëmbimin e praktikës së mirë në kuadër të transparencës me publikun.