3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Shërbimet digjitale dhe garantimi i të drejtave të individit

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ishte e ftuar në Forumin e Shoqërisë Civile, të zhvilluar në Tiranë.

Pjesëmarrja e Zyrës së Komisionerit ishte në panelin me temë “Tejkalimi i pengesave digjitale – Reaching over the digital fence”, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga institucione rregullatore të rajonit tonë, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, rretheve akademike dhe medias. Zyra e Komisionerit prezantoi punën dhe ecurinë në kuadër të procesit të përmirësimit të legjislacionit kombëtar për përshtatjen e tij tërësore me atë të Bashkimit Evropian – Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR). Kuadri i ri rregullator do të mundësojë adresimin më të plotë të sfidave dhe problematikave në epokën digjitale, në funksion të garantimit më të mirë të të drejtave të qytetarëve. Legjislacioni i modernizuar, njëkohësisht, do të ndikojë edhe në përmirësimin e shërbimeve digjitale qoftë në sferën publike, ashtu edhe në atë private, si dhe do të nxisë zbatimin e standardeve më të larta përsa i përket aspekteve të sigurisë.

Forumi i Shoqërisë Civile u mbajt në vigjilje të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si një platformë për shkëmbimin e ideve dhe gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit.