3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Garantimi i të drejtave të qytetarëve, takime në Bashkinë Kavajë

Projekti i përbashkët i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për përmbushjen e detyrimeve të legjislacionit në të dy fushat e përgjegjësisë së institucionit zhvilloi aktivitete në Bashkinë Kavajë.

Në takimin ndërgjegjësues me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të autoriteteve publike të kësaj zone, ishin të pranishëm Komisioneri, z. Besnik Dervishi, Shef i Departamentit të Sundimit të Ligjit në zyrën e OSBE, z. Cailean Maclean, Kryetari i Bashkisë Kavajë, z. Fisnik Qosja dhe përfaqësues të institucioneve qendrore/lokale që e ushtrojnë veprimtarinë në këtë njësi të vetëqeverisjes vendore, si dhe nga bashkitë e Peqinit dhe Belshit.

Në këtë aktivitet trajnues u theksua rëndësia e përmbushjes së detyrimeve ligjore në të dy fushatat e përgjegjësisë së Zyrës së Komisionerit, të cilat ndikojnë në rritjen e transparencës dhe mirëqeverisjes së autoriteteve publike e nga ana tjetër, forcojnë përgjegjshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Në këtë aktivitet u trajtuan elemente të ndryshëm të kuadrit rregullator, ashtu si dhe raste nga veprimtaria monitoruese e mbikëqyrëse e Zyrës së Komisionerit. Vëmendje iu kushtua risive që do të sjellë legjislacioni i ardhshëm kombëtar për mbrojtjen e të dhënave personale, që transpozon tërësisht Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të Bashkimit Evropian (GDPR), ashtu si dhe ndryshimet dhe përmirësimet në ligjin “Për të drejtën e informimit”, që hyjnë në fuqi së shpejti.

Aktiviteti përfshiu edhe komponentët e tjerë për ndërgjegjësimin e qytetarëve, nëpërmjet shpërndarjes së botimeve/fletëpalosjeve nga stafi i Zyrës së Komisionerit, si dhe shkëmbimin e praktikës së mirë në kuadër të transparencës me publikun.