3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Takimi rajonal për mbrojtjen e të dhënave personale në Ballkanin Perëndimor

Me iniciativën e degës në Maqedoninë e Veriut të Agjencisë Gjermane për Zhvillim (GIZ), u zhvillua në Shkup një takim mbi mbrojtjen e të dhënave personale në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të pranishëm në të ishin zyrtarë të lartë të autoriteteve të fushës nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, të cilët shkëmbyen përvojë me dy ekspertë nga Agjencia Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave.

Diskutimet u fokusuan te procesi i vazhdueshëm i digjitalizimit të shërbimeve publike apo edhe atyre që ofrohen nga sfera private e biznesit në raport me respektimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale. Një çështje tjetër me rëndësi që u trajtua në takim ishte raporti i Rregullores së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave në BE (GDPR) me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe procesi i përafrimit të saj në legjislacionin e brendshëm të secilit shtet, vlerësimi i ndikimit në privatësi dhe sidomos, aspekte të sigurisë për të dhënat e ndjeshme.

Njëkohësisht, përfaqësuesit e autoriteteve patën mundësinë të vlerësojnë edhe nevojat për zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve institucionale në këtë fushë dhe të bashkëveprojnë për hartimin e një strategjie bashkëpunimi rajonal për mbrojtjen e të dhënave.