Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në një takim të organizuar nga Zyra për Marrëdhëniet me Publikun pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës në kuadër të komunikimit transparent midis sistemit gjyqësor, publikut dhe medias. Në këtë aktivitet ishte e ftuar edhe znj. Besa Velaj, Drejtor i Kabinetit të Komisionerit, ndërsa ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqërisë civile apo medias.
Takimi kishte në fokus të tij analizimin e veprimtarisë së kësaj gjykate në këndvështrim të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga ligji për të drejtën e informimit dhe ai për mbrojtjen e të dhënave personale, diskutimin për forcimin e bashkëpunimit me partnerët në rritjen e efikasitetit të mekanizmave informues, si dhe në funksion të plotësimit të detyrimeve ligjore për Programin e Transparencës. Zyra e Komisionerit kontribuoi në këtë takim me trajtimin në balancë dhe proporcionalitet të çështjeve ku ndërvepron e drejta për informim dhe ajo për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.