3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Ndërgjegjësim i të rinjve për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale

28 Janari shënon Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe kultivimi i kulturës për respektimin e kësaj të drejte e lirie themelore individuale është detyrim si në sferën publike ashtu edhe në atë private.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bashkëpunoi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP) dhe strukturat e saj të varësisë për zhvillimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese në disa shkolla të mesme të përgjithshme në vend. Ato u mbajtën në mjediset e gjimnazeve “Ismail Qemali” në Tiranë, “Hydajet Lezha” në Lezhë, “Dhaskal Todri” në Elbasan dhe “Naim Frashëri” në Durrës. Takimet ishin pjesë e aktiviteteve në kuadër të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Me pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, këto takime kishin në fokus zgjerimin e njohurive mbi përdorimin e sigurt të mjedisit digjital dhe teknologjisë, për mbrojtje efektive të privatësisë dhe të dhënave personale. Të zhvilluara në formën e bashkëbisedimit të lirë, në to u prezantua roli dhe funksionet e Zyrës së Komisionerit, u diskutua mbi të drejtat dhe mënyrat e ushtrimit të tyre, si dhe u ndanë këshilla praktike lidhur me sjelljen e të rinjve në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale. Një proces i ligjshëm, i përgjegjshëm, transparent dhe me standarde të larta sigurie në përpunimit e të dhënave personale, ndikon edhe në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Në këtë mënyrë, këto aktivitete i shërbejnë objektivit të rëndësishëm për edukimin sa më të mirë të brezit të ri, por edhe nxitjes për përgatitjen e profesionistëve të aftë në këtë fushë.