Forcimi i transparencës proaktive, trajnim online me koordinatorë për të drejtën e informimit

Zyra e Komisionerit per të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e te Dhënave Personale zhvilloi trajnimin online mbi “Të drejtën e informimit, ripërdorimin e informacionit dhe regjistrin elektronik për kërkesat dhe përgjigjet”. Qëllimi i tij ishte diskutimi për forcimin e transparencës proaktive të autoriteteve publike nëpërmjet përditësimit të vazhdueshëm të informacionit/dokumentacionit në faqet e tyre zyrtare të internetit.

Në këtë trajnim, me pjesëmarrjen e koordinatorëve për të drejtën e informimit nga institucione qëndrore e të varësisë apo të njësive të vetëqeverisjes vendore, vëmendje ju kushtua edhe përdorimit të portalit “pyetshtetin.al” dhe regjistrit elektronik për kërkesat dhe përgjigjet për të drejtën e informimit (REKPDI) të instaluar në të. Gjithashtu, u trajtuan edhe tematika të tilla, si: hartimi, plotësimi dhe përditësimi i programit të transparencës; roli i koordinatorit në procesin e informimit të publikut; procedura e trajtimit të një kërkese për informim; u trajtuan raste konkrete nga praktika në optikën e ligjit të përmirësuar për të drejtën e informimit.