Studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” takim në Zyrën e Komisionerit

Në mjediset e Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u zhvillua takimi me një grup studentësh të programit Gazetari-Komunikim të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në formën e një bashkëbisedimi të lirë, Komisioneri, z. Besnik Dervishi, prezantoi një panoramë të legjislacionit të të drejtës për informim, i njohu me rolin, funksionet dhe veprimtarinë e institucionit në këtë fushë, si dhe mbi trajtimin e rasteve nga praktika. Një aspekt i rëndësishëm në këtë drejtin është forcimi i transparencës së autoriteteve publike, duke ndikuar në nxitjen e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së tyre përballë qytetarëve. Njëkohësisht, studentët shfaqën interes edhe për fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, si një e drejtë tjetër themelore individuale, mbi raportet e saj me teknologjinë dhe digjitalizimin e shërbimeve. Zyra e Komisionerit informoi të pranishmit mbi veprimtarinë institucionale në këtë drejtim, si dhe ofroi këshilla praktike për një orientim të drejtë në funksion të mbrojtjes efektive të të dhënave personale.

Aktiviteti u zhvillua si pjesë e takimeve në institucione shqiptare në kuadër të projektit “Media 2040: avokimi i të rinjve për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet nga gjashtë universitete të rajonit: Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Malit të Zi, Universiteti i Sarajevës dhe Universiteti i Shkupit “Shën Kirili dhe Metodi”. Zyra e Komisionerit e mirëpret bashkëpunimin me institucione të arsimit të lartë në kuadër të veprimtarive mësimore akademike/didaktike, si një mundësi për zgjerimin e ndërgjegjësimit dhe njohurive të të rinjve.