Mësues të trajnuar për mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale i kushton gjithnjë vëmendje forcimit të bashkëpunimit me institucionet arsimore, në funksion të qasjes ndërgjegjësuese dhe zgjerimit të njohurive për ushtrimin në praktikë të të drejtave.

Në mjediset e gjimnazit “Sami Frashëri”, me një grup mësuesish që po ndjekin “Shkollën e Drejtorëve”, u zhvillua një sesion trajnues mbi legjislacionin e mbrojtjes së të dhënave personale, parimeve dhe kritereve mbi të cilat zhvillohet ky proces, mbi raportet që krijohen në këtë fushë me zhvillimin e teknologjisë dhe digjitalizimin e shërbimeve, si dhe njohjen me raste konkrete. Në këtë aktivitet të pranishëm ishin edhe nxënës e mësues të kësaj shkolle, duke e kthyer atë në një mundësi mjaft pozitive bashkëbisedimi interaktiv, çka tregon për interesin e shtuar dhe forcimin e kulturës për mbrojtjen e kësaj të drejte. Njëkohësisht, u shkëmbyen mendime për mundësinë e zhvillimit të projekteve me interes të ndërsjellë, në mënyrë që kjo fushë të gjejë gjithnjë e më shumë hapësirë për thellimin e njohurive si të nxënësve ashtu edhe të mësuesve.