3-5 QERSHOR 2024
KONFERENCA NDËRKOMBËTARE
E KOMISIONERËVE TË INFORMIMIT
www.informationcommissioners2024.al

|

Mbrojtja e të dhënave personale dhe të drejtat digjitale

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, z. Besnik Dervishi, ishte i ftuar në aktivitetin përmbyllës të projektit “Festivali Kombëtar i të Drejtave Digjitale”.

I organizuar në formën e një bashkëbisedimi të lirë, ky takim mblodhi së bashku të rinj, ekspertë të fushës, përfaqësues nga institucione publike dhe nga organizata të shoqërisë civile, të cilët diskutuan në lidhje me avancimin e të drejtave digjitale dhe ndërtimin e një mjedisi të qëndrueshëm kibernetik. Komisioneri Dervishi në fjalën e tij u fokusua në rrugëtimin, rolin dhe veprimtarinë e Zyrës, sfidat në funksion të mbrojtjes së të dhënave personale përballë avancimit të teknologjisë, përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis të BE, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë e sidomos, të brezit të ri në këtë fushë. “Sa më shumë zhvillohen produktet apo shërbimet digjitale, aq më shumë duhet të rritet kultura jonë mbi mënyrat si mund të mbrohemi” – theksoi Komisioneri.

Ky projekt u zbatua në 4 qytete të vendit, në Tiranë, Vlorë, Shkodër e Pogradec nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), për aftësimin e shoqërisë civile dhe të rinjve për të mbrojtur të drejtat dhe rritjen e sigurisë së tyre digjitale.