Shqipëri-Malajzi, bashkëpunim dhe shkëmbim eksperience

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi një takim me delegacionin e Malajzisë, pjesëmarrës në punimet e Konferencës së 15-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit. Temë kryesore e bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i eksepriencës e praktikave më të mira në të dy fushat e objektit të veprimtarisë institucionale, në funksion të grantimit të të drejtave të qytetarëve.

Delegacioni malajzian kryesohej nga z. Zamri bin Misman, Drejtor i Përgjithshëm i Divizionit të Çështjeve Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe z. Mohd Nazri bin Kama, Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Palët diskutuan për kuadrin ligjor të fushës së të drejtës për informim, ashtu si edhe për atë të mbrojtjes së të dhënave personale; rolin, funksionet dhe eksperiencën përgjatë veprimtarisë së autoritetit shqiptar në të dy këto drejtime; çështje që kanë të bëjnë me balancën dhe trajtimin në proporcionalitet të të dy të drejtave; si dhe mbi sfidat kryesore përsa i përket forcimit të kulturës për respektimin e tyre dhe zbatimin e standardeve më bashkëkohore. Në takim u ra dakord që të vijohet me shtimin e kontakteve dhe shkëmbimit të njohurive, në funksion të konsolidimit të bashkëpunimit 2-palësh.