Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nënshkroi me Komisionerin për të Drejtat e Njeriut (Ombudsman) të Republikës së Azerbajxhanit një Momorandum Mirëkuptimi, për të promovuar respektimin e të drejtës për akses/qasje në informacionin me karakter publik.
Dokumenti u nënshkrua nga titullarët e të dy institucioneve, znj. Sabina Aliyeva dhe z. Besnik Dervishi, në një ceremoni të zhvilluar në përfundim të punimeve të Konferencës së 15-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (XV ICIC), 3-5 qershor 2024, në Tiranë. Memorandumi parashikon bashkëpunimin në promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe në veçanti, atë për të drejtën e informimit; shkëmbimin e informacionit, ekspertizës dhe praktikave më të mira; rritjen e kapaciteteve profesionale dhe trajnimit të stafeve respektive apo dhe zhvillimin e hetimeve të përbashkëta. Për arritjen e objektivave dhe zbatimin e Memorandumit do të funksionojë një mekanizëm lehtësues komunikimi, për ta bërë sa më efektiv këtë bashkëpunim. Me nënshkrimin e këtij dokumenti, Zyra e Komisionerit konsolidon edhe më shumë rolin dhe veprimtarinë për forcimin e kulturës së transparencës në funksion të zgjerimit të komunitetit ndërkombëtar të profesionistëve të fushës së informimit.