|

“Transparenca dhe epoka digjitale: roli i Komisionerëve të Informimit dhe fuqizimi i qytetarëve”

Deklaratë Publike
Edicioni i 15-të i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC)

Ne, Komisionerët e Informimit, anëtarë të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), të mbledhur më 5 qershor 2024, në punimet e edicionit të 15-të të Konferencës sonë Vjetore, të mbajtur në mënyrë virtuale dhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, paraqesim deklaratën e mëposhtme:

Duke kujtuar se Karta e Johanesburgut mbështet rrjetin e ICIC-së që shërben si gur themeli për bashkëpunimin global midis autoriteteve anëtare të ngarkuara me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtës për informim. Duke funksionuar mbi parimet e gjithëpërfshirjes, universalitetit, transparencës, përgjegjësisë, etikës, aksesueshmërisë, respektit dhe llogaridhënies, ICIC lehtëson ndërtimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira. Nëpërmjet këtij rrjeti, komisionerët e informimit në mbarë botën bashkëpunojnë për të siguruar që e drejta themelore e aksesit në informacion të ruhet dhe të garantohet për të gjithë individët.

Duke theksuar se e drejta për informim si një shtyllë themelore e qeverisjes sociale, ekonomike dhe demokratike nënvizohet nga përfshirja e saj në akte të ndryshme ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut, duke përfshirë traktate të rëndësishme si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Karta Afrikane për të Drejtat e Njeriut dhe të Popullit, Konventa Amerikane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Deklarata e të Drejtave të Njeriut të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, Konventa e Këshillit të Evropës për Aksesin në Dokumentet Zyrtare, Marrëveshja Rajonale për Aksesin në Informacion, Pjesëmarrja Publike dhe Drejtësia në Çështjet e Mjedisit në Amerikën Latine dhe Karaibet (Marrëveshja Escazú), ndër të tjera.

Duke pranuar Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, të miratuar njëzëri nga të gjitha Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara në 2015, e cila shërben si një kuadër kolektiv për nxitjen e paqes dhe prosperitetit global si për njerëzimin ashtu edhe për planetin. Kjo agjendë përfshin veçanërisht objektivin 16.10, i cili synon të sigurojë të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e lirive themelore, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe marrëveshjet ndërkombëtare, duke i nxitur vendet të miratojnë dhe zbatojnë garanci kushtetuese, statutore dhe/ose politika për aksesin në informacion.

Duke njohur se Partneriteti i Qeverisjes së Hapur (OGP) luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e transparencës, llogaridhënies dhe angazhimit të qytetarëve në qeverisje. Nëpërmjet platformës së saj bashkëpunuese, OGP inkurajon qeveritë të angazhohen për veprime konkrete që synojnë promovimin e të drejtës për informim dhe rritjen e aksesit të publikut në informacionin e mbajtur nga qeveria. Duke përqafuar parimet e hapjes dhe llogaridhënies, vendet pjesëmarrëse jo vetëm që forcojnë besimin midis qytetarëve dhe qeverive të tyre, por gjithashtu fuqizojnë individët që të kenë akses në informacion, të marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes dhe t’i mbajnë autoritetet përgjegjëse për veprimet e tyre. Për më tepër, OGP shërben si një katalizator për zhvillimin e politikave dhe praktikave të së drejtës për informim, duke lehtësuar ndarjen e njohurive dhe të shkëmbimit të eksperiencës midis vendeve anëtare.

Duke marrë parasysh rolin kyç të shoqërisë civile dhe medias në promovimin e të drejtës për informim, duke kontribuar në përmirësimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes demokratike, duke vënë theksin në punën e përkrahjes, monitorimit dhe promovimit. Përpjekjet e tyre shpesh përfshijnë fuqizimin e komuniteteve të margjinalizuara për të ushtruar të drejtën e tyre për të pasur akses në informacion dhe për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse. Në mënyrë të ngjashme, media luan një rol jetik në sigurimin e aksesit të publikut në informacion duke hetuar dhe raportuar mbi aktivitetet e qeverisë, duke ekspozuar korrupsionin dhe duke i mbajtur zyrtarët përgjegjës. Gazetarët veprojnë si ndërmjetës midis qeverive dhe qytetarëve, duke ofruar informacion thelbësor për diskursin të informuar publik dhe vendimmarrje.

Përqafimi i teknologjive digjitale paraqet një mundësi të paprecedentë për të rritur transparencën duke mbajtur gjithashtu vlerat thelbësore si privatësia e individëve dhe konsideratat etike. Duke përdorur platformat dhe mjetet digjitale, qeveritë mund të rrisin aksesin e informacionit, të thjeshtojnë proceset administrative dhe të nxisin një angazhim më të madh të qytetarëve. Megjithatë, është e domosdoshme t’i jepet përparësi etikës dhe vlerave si mbrojtja e të dhënave, të drejtat e privatësisë dhe sigurisë kibernetike në zbatimin e iniciativave digjitale. Ruajtja e informacionit sensitiv dhe sigurimi i transparencës në lidhje me mbledhjen, ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave janë thelbësore për ruajtjen e besimit dhe respektit të publikut për privatësinë e individëve. Për më tepër, qeveritë duhet të jenë vigjilente në adresimin e risqeve të mundshme të përjashtimit dhe diskriminimit digjital, duke siguruar që risitë digjitale të ofrojnë përfitim në mënyrë të barabartë në të gjitha segmentet e shoqërisë.

Anëtarët e ICIC angazhohen për të:

1. Promovuar transparencën duke përkrahur zbatimin e ligjeve dhe politikave të aksesit në informacion që nxisin hapjen dhe transparencën në autoritetet publike për të përmirësuar shërbimet, për të reduktuar asimetritë dhe për të promovuar pjesëmarrjen e qytetarëve.

2. Ndihmuar në sigurimin e llogaridhënies së qeverisë duke mbikëqyrur respektimin e legjislacionit të LDI-së dhe duke hetuar ankesat për mosdhënie të informacionit ose menaxhimit jo efektiv.

3. Bërë përpjekje për fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile dhe medias për t’u angazhuar në mënyrë aktive për promovimin e LDI-së në nivel qytetar, duke nxitur një kulturë transparence dhe të ndihmojë në mundësimin e llogaridhënies së qeverisë dhe kështu të vijojnë të bashkëpunojnë në procesin e vendimmarrjes.
4. Promovimi i inovacionit duke njohur potencialin e teknologjive digjitale për të rritur transparencën, dhe nëse është e aplikueshme, duke marrë parasysh se iniciativat digjitale duhet të respektojnë të drejtat e privatësisë së individëve, të ruajnë aksesin në informacion në lidhje me vendimmarrjen e qeverisë dhe të respektojnë standardet etike.

5. Zhvillimi i fushatave ndërgjegjësuese publike për të edukuar qytetarët rreth te drejtës së tyre për akses në informacion, rolin e të drejtës për informim në qeverisjen demokratike dhe rëndësia e transparencës dhe llogaridhënies.

6. Të zhvillojnë përpjekjet bashkëpunuese me aktorë të tjerë, si rrjeti ICIC, për të shkëmbyer praktikat më të mira, rrisin kapacitetet dhe të promovojnë aksesin në informacion në nivel global.

7. T’i bëjnë thirrje agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave shumëpalëshe për të integruar aksesin në informacion si një nga mjetet me të rëndësishme të llogaridhënies, në agjendat e tyre ndërkohë që punojnë me qeveritë.

8. T’i bëjnë thirrje UNESCO-s për të organizuar një takim të të gjithë qeverive, përfshirë rregullatorët e informimit dhe të marrin garanci universale për aksesin në informacion nga qeveritë.

9. Të promovojnë parimet e transparencës digjitale (transparency by design) për të rritur dhënien e shpejtë të informacionit për të gjithë popullatën, duke marrë parasysh transparencën në fazat fillestare të projektimit të sistemeve të reja, proceseve administrative, procedurave dhe modelet e qeverisjes dhe integrimit të tyre në punën e përditshme.

Deklarata Publike (anglisht) (frëngjisht) (spanjisht)