Komisioneri Dervishi raporton veprimtarinë në Komisionet Parlamentare: Rritje e ndjeshme e transparencës, ligji i ri për të dhënat personale forcon më tej mbrojtjen

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, paraqiti sot në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare Bashkëpunim dhe Mbikqyrjen Institucionale dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2024, duke evidentuar progresin e ndjeshëm në forcimin e transparencës së autoriteteve publike, avancimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Situata e transparencës në autoritetet publike reflekton përmirësim të dukshëm. Qytetarët shqiptarë janë bërë më aktiv në ushtrimin e së drejtës për informim, siç tregojnë të dhënat e vetëdeklarimit të institucioneve” – theksoi Komisioneri Dervishi, duke nënvizuar se, kërkohet më shumë transparencë proaktive dhe përgjegjshmëri nga çdo autoritet publik.

Transparenca proaktive e institucioneve publike: përmirësimi më i madh ndër vite

Raporti evidenton se, gjatë vitit 2024, 331 autoritete publike kanë publikuar programin e transparencës, 335 kanë caktuar koordinatorin dhe 318 kanë funksionalizuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve.

Në përfundim të monitorimit vjetor, 45% e autoriteteve qendrore dhe të varësisë u klasifikuan me transparencë të lartë proaktive, duke shënuar rritje nga 38% në vitin 2023, ndërsa njësitë e vetëqeverisjes vendore përmirësuan ndjeshëm performancën, me rritje nga 29% në 41%.

“Këto rezultate tregojnë se, transparenca nuk është më një detyrim formal, por po shndërrohet në kulturë institucionale. Megjithatë, ende ka nevojë për përmirësime në publikimin e informacionit dhe në reagimin ndaj kërkesave të qytetarëve,” – u shpreh Dervishi.

Zyra e Komisionerit administroi 1,025 ankesa gjatë vitit 2024, një shifër pak më e ulët se një vit më parë, çka lidhet me përmirësimin e përgjithshëm të qasjes dhe transparencës.

Mbrojtja e të dhënave personale: Ligji i ri nr. 124/2024 në përputhje të plotë me standardet e BE-së

Një ndër momentet më të rëndësishme të vitit ishte miratimi nga Kuvendi, në dhjetor 2024, i ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Direktivën për organet ligjzbatuese (Direktiva e Policisë).

“Ky ligj modern përbën një hap të madh përpara në mbrojtjen e privatësisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë. Ai është gjithashtu një kusht kyç në kuadër të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian,” – deklaroi Komisioneri.

Gjatë vitit 2024, Zyra e Komisionerit trajtoi 455 ankesa për cënimin e të dhënave personale dhe zhvilloi 77 hetime administrative, kryesisht në sektorët e arsimit, shëndetësisë, turizmit dhe bankave.

Në përfundim të procedurave, u dhanë 68 sanksione administrative, si dhe rekomandime unifikuese për përmirësimin e masave të sigurisë dhe respektimin e të drejtave të subjekteve të të dhënave.

Forcimi i rolit mbikëqyrës dhe ndërkombëtar

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Zyra e Komisionerit ka zhvilluar procesin e parë monitorues pranë sistemit të prokurorisë shqiptare dhe SPAK, në kuadër të detyrimeve që burojnë nga bashkëpunimi me Eurojust.

“Ky proces përbën një moment të rëndësishëm për forcimin e integritetit institucional dhe për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale edhe në sistemin e drejtësisë” – theksoi Dervishi.

Zyra e Komisionerit ka vijuar një rol aktiv në arenën ndërkombëtare, duke qenë anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit.

Rritje e ndërgjegjësimit dhe forcim i kapaciteteve

Komisioneri Dervishi theksoi domosdoshmërinë për ndërgjegjësim më të madh institucional dhe publik, trajnime të vazhdueshme dhe forcim të sistemeve të informacionit në të dy fushat – të drejtën për informim dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit, Zyra e Komisionerit ka realizuar plotësisht të gjitha detyrimet e lëna, duke dhënë mendime për 64 akte ligjore e nënligjore dhe 40 opinione për çështje të ndryshme të kontrolluesve publikë dhe privatë.

“Transparenca dhe mbrojtja e të dhënave personale janë dy shtylla thelbësore të një shteti demokratik dhe të drejtë. Raporti ynë tregon qartë se, jemi në rrugën e duhur, por kërkon angazhim të vazhdueshëm, bashkëpunim institucional dhe ndërgjegjësim publik për t’i bërë këto parime realitet në çdo nivel të administratës,” – përmbylli raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve, Komisioneri Besnik Dervishi.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë