Në mbështetje të iniciativave për fuqizimin e aktivizmit dhe pjesëmarrjes qytetare

Në Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u zhvillua një vizitë studimore me aktivistë të programit “Shkëndijat”, i zbatuar nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit, Co-PLAN.

Në fokus të tij ishte njohja me veprimtarinë e Zyrës së Komisionerit në dy fushat e përgjegjësisë, në drejtim të garantimit të ushtrimit të të drejtave dhe lirive themelore nga qytetarët. Nëpërmjet rasteve nga praktika nga fusha e të drejtës për informim, të pranishmit u njohën me procedurën e shqyrtimit të ankesave, transparencën proaktive të autoriteteve publike, trajtimin në balancë dhe proporcionalisht të të dy të drejtave, funksionet e koordinatorit, etj. Njëkohësisht, me interes për të pranishmit ishte edhe fusha e mbrojtjes së të dhënave personale, ku u theksua zhvillimi i këtij procesi sipas standardeve më bashkëkohore dhe në funksion të një ekonomie të qëndrueshme. Ky takim i shërbeu, njëkohësisht, edhe qasjes së Zyrës së Komisionerit në mbështjetje të iniciativave ndërgjegjësuese që nxisin pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrjen e autoriteteve publike dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile. Programi “Shkëndijat” zbatohet prej disa vitesh duke mbështetur aktivistë, profesionistë dhe organizata jofitimprurëse nga i gjithë vendi, që çojnë përpara nisma me rëndësi për komunitete të ndryshme lokale.