|

Komisioneri në trajnimin e Shkollës së Magjistraturës

Në kuadër të formimit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Shkolla e Magjistraturës organizoi në datat 9-10 korrik 2024, aktivitetin trajnues me temë “Seminar për rregullimin e inteligjencës artificiale (IA), për gjyqtarë dhe prokurorë nga Shqipëria”. I ftuar si lektor në këtë seminar ishte dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi.

Komisioneri Dervishi mbajti për të pranishmit prezantimin me temë “Mbrojtja e të dhënave personale, siguria, digjitalizimi dhe IA”, me fokus ndikimin në veprimtarinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kuadrit të ri ligjor kombëtar të kësaj fushe, të përafruar me kornizën rregullatore të Bashkimit Evropian (GDPR). Qëllimi i këtij aktiviteti, bashkërenduar edhe me eksperiencën e përcjellë nga ekspertë të huaj, ishte zgjerimi i njohurive mbi këtë fenomen dhe përdorimin e tij efikas e në përputhje me normat në shërbimet që ofron sistemi i drejtësisë.