Në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua takimi i Kryetares, znj. Elisa Spiropali, me drejtues të institucioneve të pavarura. Në këtë aktivitet i pranishëm ishte edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi. Në fjalën e tij z. Dervishi theksoi si shumë të rëndësishëm forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimin me Kuvendin, me Komisionet e përhershme parlamentare dhe me Shërbimin e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura.
“Mendoj se ka mundësi si për ndërhyrje afatgjata që kërkojnë kohën e domosdoshme të zbatimit, ashtu edhe për ndërhyrje të menjëhershme që përmirësojnë situatën dhe statusin e institucioneve të pavaruara. Kemi diskutuar edhe herë tjetër mbi këtë çështje, ne ende mbështetemi akoma në një ligj që është pjesërisht i shfuqizuar dhe pjesërisht i vjetëruar, ligji nr. 9584/2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, i cili mendoj se është tejet burokratik, jo vetëm për institucionet e pavaruara, por edhe për vetë Kuvendin. Ndërmarrja e një iniciative të re, duke u mbështetur në raportet e ekspertëve të BE, besoj se do të ndihmonte shumë jo vetëm në deburokratizimin e disa proceseve të tejkaluara, por do të ndikonte në arritjen nga institucionet e pavaruara të standardeve të BE. Vlerësoj se kërkesat buxhetore mbeten për ne prioritare, sepse një institucion nuk mund të funksionojë pa patur burime financiare dhe ato njerëzore.
Në funksion të procesit që zhvillojmë në Kuvend, mendoj se të gjithë ne si institucione nuk kemi vetëm mundësinë e raportimit por edhe për t’u dëgjuar nga Komisionet përgjegjëse për çështje që ne i konsiderojmë të rëndësishme. Është një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë më tepër. Vlerësoj se në Regulloren e Kuvendit mund të bëhet një ndryshim, në mënyrë që gjatë procesit të raportimit, kur bëhen pyetje apo diskutime të cilat shpesh dalin jashtë objektit të fushës së veprimtarisë institucionale, në fund të na jepet mundësia, jo për të bërë replikë, por për dhënien e konkluzioneve tona përfundimtare mbi diskutimet e zhvilluara. Mendoj se ky përmirësim i Rregullores së Kuvendit është diçka që i shërben të gjitha institucioneve të pavaruara. Gjithashtu, uroj që ky takim, ky forum të zhvillohet jo vetëm në këtë format, por për shembull edhe me grupe të caktuara të institucioneve të pavaruara, fushat e veprimtarisë së të cilave apo natyra e punës së tyre lidhen ngushtësisht me njëra-tjetrën, siç mund të jenë Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, entet rregullatore, etj” – tha z. Dervishi.