|

Takimi në Korçë me strukturat vendore arsimore për mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës në Shqipëri të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), zhvilluan në mjediset e Bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë aktivitetin për prezantimin e gjetjeve të Rekomandimin Unifikues “Mbi respektimin e detyrimeve ligjore në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale për kontrolluesit e arsimit të mesëm të lartë”. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë, nga strukturat vendore arsimore (ZVA) në varësi të Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Korçë, mësues, psikologë, prindër dhe nxënës.

Për Zyrën e Komisionerit zhvillimi i të tilla takimeve rajonale është shumë i rëndësishëm, për forcimin e ndërgjegjësimit, kultivimin e kulturës për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe edukimin sa më cilësor të brezit të ri. Në Rekomandim janë evidentuar problematika që kanë të bëjnë me zbatimin korrekt të legjislacionit të kësaj fushe, sidomos, për zbatimin e masave të duhura të sigurisë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave personale, veçanërisht, në përdorimin e platformave/rrjeteve sociale. Një kujdes i posaçëm duhet t’i kushtohet informacionit mbi fëmijë/nxënës të mitur (nën 18 vjeç), për të shmangur pasojat e rënda që mund të vijnë për shkak të publikimit online të të dhënave të tyre personale. Në aktivitet, Zyra e Komisionerit prezantoi edhe parimet e modulit trajnues “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë gjatë lundrimit në internet”, i hartuar nga institucioni, dokument i cili u shërben strukturave arsimore për përdorimin e duhur të rrjeteve sociale, kujdesin për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, si dhe rëndësinë e sigurisë online nga rreziqet që ndeshen në mjedisn digjital.