Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, ishte i ftuar në takimin “Zgjedhjet 2025: roli i medias në procesin zgjedhor, sfida dhe mundësi”. Kjo tryezë teknike u bashkëorganizua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Prezenca e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila kishte në fokus procesin përgatitor për zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Komisioneri mori pjesë në sesionin e dytë të këtij aktiviteti me temë “Gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga institucionet shtetërore dhe aktorë të tjerë”. Në fjalën e tij, z. Dervishi, ndër të tjera theksoi se pavarësisht se Zyra e Komisionerit nuk ka detyra të posaçme përsa i përket proceseve zgjedhore, për të dy fushat e veprimtarisë së institucionit ka një përvojë shumë të rëndësishme të bashkëpunimit me KQZ.
“Në kuptim të legjislacionit për të drejtën e informimit është një ‘autoritet publik’- shumë i rëndësishëm në kuadër të rolit në proceset zgjedhore. Nga ana tjetër, në fushën e mbrojtjes së të dhënave, në cilësinë e ‘kontrolluesit’ përpunon një sasi shumë të madhe të dhënash personale të qytetarëve. Siç e dini, legjislacioni për të drejtën e informimit parashikon instrumentin e ‘Programit të Transparencës’. Duhet të forcojmë përpjekjet që ky instrumet t’i paraprijë informacionit, për qytetarin, në rradhë të parë dhe natyrisht, edhe për median. Në këtë mënyrë, përsosim akoma edhe më shumë funksionimin e konceptit të transparencës. Ne kemi miratuar, mbështetur në opinionet e Këshillit të Evropës dhe Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave, një Udhëzues që e kemi prezantuar me KQZ përpara zgjedhjeve të fundit vendore. Ky është një dokument shumë i rëndësishëm, për partitë politike në rradhë të parë, por edhe për të gjithë ne aktorët dhe faktorët që japim kontributin tonë gjatë procesit të zgjedhjeve. Ka një aspekt themelor që partitë politike duhet të respektojnë, parimin ‘e mjaftueshmërisë’ së të dhënave, pikërisht këtu fillon vendosja e barrierës së mbrojtjes së të dhënave dhe parandalimi i keqpërdorimit të tyre. Janë koncepte deri diku të reja, por kemi filluar t’i promovojmë dhe i kemi kërkuar me vendosmëri.”
Tryeza teknike është një përpjekje për të rritur integritetin e zgjedhjeve të ardhshme, si dhe për të forcuar zbatimin e dispozitave ligjore dhe rregullave në pasqyrimin profesional dhe të paanshëm të tyre.