Takimi vjetor me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka ftuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, në datën 21.01.2025, në takimin tradicional vjetor për të diskutuar rreth ecurisë së zbatimit të ligjit “Për të drejtën e informimit”.

Aktiviteti ka për qëllim të bëj një bilanc të veprimtarisë së zhvilluar përgjatë vitit 2024 dhe shtimin e përpjekjeve për konsolidimin e kulturës së përgjegjshmërisë e të transparencës së autoriteteve publike, në zbatimin e kuadrit rregullator të kësaj fushe.

Grupi i ekspertëve “Access Info Group” të Këshillit të Evropës është në proces të hartimit të “Vlerësimit bazë për zbatimin e Konventës 205 “Për aksesin në dokumentet zyrtare”, nga ana e Shqipërisë. Ky proces do të ndikojë në aplikimin e praktikave më bashkëkohore për një administratë publike sa më transparente.

Kontributi i shoqërisë civile dhe medias është i pazëvendësueshëm në funksion të një shoqërie të informuar dhe pjesëmarrjes në qeverisje, për nxitjen e ushtrimit praktik të të drejtës për informim nga qytetarët.