Komisioneri Dervishi takon Ambasadorin Gonzato, ligji për mbrojtjen e të dhënave përparim i rëndësishëm drejt BE-së

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, priti në një takim zyrtar Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Silvio Gonzato.

Në takim u diskutua mbi progresin e bërë nga Shqipëria në fushat e veprimtarisë që mbulon Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si e drejta e informimit, mbrojtja e të dhënave personale dhe të dhënat e hapura.

Zoti Dervishi e falenderoi Ambasadorin Gonzato për mbështetjen e pakursyer që Bashkimi Evropian ka dhënë ndër vite dhe në veçanti për ekspertizën përgjatë procesit të harmonizimit të plotë të ligjit të ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale” me Rregulloren e Përgjithshme Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR).

Ai theksoi se sfidë për zyrën e Komisionerit mbetet zbatimi i plotë i ligjit, nevoja për mbështetje me kapacitete profesionale, dhe veçanërisht ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe kontrolluesve publikë e privatë me risitë e legjislacionit, si dhe rritja e kulturës së mbrojtjes së të dhënave personale.

Nga ana e tij Ambasadori Gonzato vlerësoi punën e deritanishme të Zyrës së Komisionerit, duke shprehur angazhimin e tij të plotë për mbështetjen e këtij institucioni në përmbushjen dhe realizimin e objektivave në të ardhmen.

Në takim morën pjesë edhe znj. Besa Velaj, Drejtore e Kabinetit të Komisionerit, znj. Blerta Xhako, Drejtore e Drejtorisë Juridike dhe Integrimit, z. Aleksandar Romanovic, Oficer Politik pranë Delegacionit të BE-së si dhe Peter Danis, Oficer për Mirëqeverisjen dhe Sundimin e Ligjit.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë