Zyra e Komisionerit, shkëmbim eksperiencash me Agjencinë për Informim dhe Privatësi të Kosovës

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP), z. Besnik Dervishi dhe përfaqësues të tjerë të institucionit zhvilluan një vizitë pune dy-ditore në Kosovë, me ftesë të Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku.

Qëllimi i kësaj vizite ishte shkëmbimi i eksperiencave dhe diskutimet mbi sfidat me të cilat përballen dy institucionet homologe gjatë veprimtarisë së tyre, kjo në bazë edhe të marrëveshjes së bashkëpunimit datë 21.04.2022, ndërmjet Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës.

Z. Besnik Dervishi shprehu mirënjohjen për organizimin e kësaj tryeze nga ana e Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës. Komisioneri Dervishi bëri një rezyme të punës së institucionit që ai drejton, ngjarjeve më të rëndësishme të vitit 2024 si dhe objektivat për periudhën në vazhdim.

Miratimi i ligjit të ri “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” u cilësua nga z. Dervishi si përgjegjësi e shtuar për zyrën e Komisionerit, që do të angazhohet në vijim për hartimin e të gjitha akteve nënligjore në zbatim të ligjit.

Ai vuri në dukje se akordimi i presidencës së Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) është përgjegjësi e lartë, por njëkohësisht edhe shenjë mirënjohjeje, si edhe prestigj për Shqipërinë. Komisioneri shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave me homologët e Kosovës sa i përket të drejtës së informimit, mbrojtjes së të dhënave personale dhe të dhënat e hapura. Z. Dervishi theksoi se Zyra e Komisionerit është e hapur për të realizuar trajnime të ndryshme me universitetet dhe aktorë të tjerë, në funksion të rritjes së transparencës, ndërgjegjësimit dhe mirëinformimit.

Znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku i shprehu urimet zotit Dervishi për rinovimin e mandatit si Komisioner, si edhe vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin e tij për avancimet e rëndësishme të Zyrës së Komisionerit edhe në kuadër të procesit të integrimit.

Ajo njohu gjithashtu autoritetin shqiptar me përparimet e bëra nga agjencia që drejton, e cila ka fituar së fundmi edhe statusin e vëzhguesit në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB). Komisionerja e Kosovës theksoi se në 27 janar u prezantua platforma e parë për identifikimin e rrjedhjes së të dhënave personale, ndërsa shprehu gatishmërinë për të asistuar Shqipërinë në ndërtimin e një platforme të tillë.

Gjatë tryezës së punës, të zhvilluar mes stafeve teknike, u realizuan disa prezantime mbi projektet e fundit të institucioneve.

Agjencia për Informim dhe Privatësi prezantoi platformën për sigurimin e mbrojtjes së të dhënave personale përmes identifikimit të rrjedhjes së të dhënave nga kontrolluesit publik e privat në Kosovë. Kjo platformë është ndërtuar si kombinim i shumë gjuhëve kompjuterike dhe do të funksionojë si një mekanizëm parandalues ndaj keqpërdorimeve të mundshme dhe rrjedhjes së të dhënave.

Z. Kushtrim Mustafa në cilësinë e drejtuesit të divizionit për inspektim dhe kontroll në departamentin e mbrojtjes së të dhënave personale në Agjencinë për Informim dhe Privatësi të Kosovës prezantoi publikimin e të dhënave në faqet zyrtare të institucioneve publike në komuna/bashki. Gjithashtu ai u ndal dhe te sistemi i vëzhgimit me kamera në sallat e ligjërimit dhe ambjentet sanitare.

Drejtorja për të Drejtën e Informimit znj. Ermelinda Pema, bëri një përmbledhje të indeksit të transparencës së autoriteteve qëndrore dhe vendore si një mekanizëm i monitorimit të transparencës proaktive. Znj. Pema u shpreh se transparenca e autoriteteve qëndrore dhe vendore është rritur nga viti në vit.

Ndërsa Klark Radoniqi, inspektor në Drejtorinë e Mbrojtjes së të Dhënave Personale bëri një prezantim mbi raportin e vlerësimit të përpunimit të të dhënave personale nga Njësia e Informacionit të Pasagjerit (NIP) si dhe mbi raportin e vlerësimit të përpunimit të të dhënave personale në kuadër të zbatimit të legjislacionit për “Masat Shtesë të Sigurisë Publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit”.