Ligji për të dhënat e hapura, ekspertët ndërkombëtarë asistencë teknike për organet e sektorit publik

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në kuadër të ligjit nr. 33/2022 “Për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e Informacionit të Sektorit Publik” me mbështetjen e projektit të Bashkimit Evropian TAIEX ka zhvilluar trajnimin e radhës me 38 autoritete publike në vend. Këto organe në zbatim të këtij ligji do të duhet të bëjnë publike në faqet e tyre zyrtare, por dhe në portalin “opendata.gov.al” të dhënat e tyre, me qëllim ripërdorimin e këtyre dokumenteve/informacioneve nga publiku, media, organizata, biznese apo edhe kërkues shkencorë.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte ofrimi asistencës teknike dhe këshillimore për organet e sektorit publik nga ekspertët ndërkombëtarë, duke vlerësuar kuadrin aktual ligjor dhe institucional. Gjatë trajnimit u identifikuan të dhënat publike, standardet dhe formatet e të dhënave të hapura, llojet e licensave, u dhanë udhëzime praktike mbi përgatitjen e një plani veprimi për të dhënat e hapura në institucione, si dhe u sqarua kuptimi mbi të drejtën për ripërdorimin e informacionit të sektorit publik.

Drejtorja e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit znj. Elona Hoxhaj, në fjalën e hapjes theksoi se, sasia e të dhënave publike në vendin tonë është rritur ndjeshëm e për pasojë ripërdorimi i këtyre të dhënave të hapura i shërben rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë së administratës, kërkimit shkencor dhe zhvillimit ekonomik mbi zgjidhje inovatore. Znj. Hoxhaj shtoi më tej se, të dhënat e hapura përfshijnë një riorganizim dinamik të pushtetit të sektorit publik, duke hequr dorë nga roli i tij si “mbajtës i informacionit” dhe duke e ridimensionuar atë në një rol të ri, atë të “ofrimit të informacionit”.

Ekspertët e projektit TAIEX u shprehën se, Shqipëria ka një kornizë të mirë ligjore, por duhet të përmirësojë cilësinë e të dhënave dhe përditësimin e tyre.  Përmes trajnimeve periodike do të arrihet dhe ky rezultat. Sipas ekspertëve, të dhënat e hapura janë një e mirë publike, e cila duhet përdorur ndërsa sollën në vëmendje se duhet bërë dallimi mes të drejtës për informim dhe të dhënave të hapura dhe ripërdorimi i tyre.

Ekspertja e Zyrës së Komisionerit znj. Alketa Sata, sqaroi përfaqësuesit e autoriteteve publike në lidhje me fazat që do të kalojë ky proces, duke theksuar se aktualisht Zyra e Komisionerit është në fazën e orientimit dhe ndërgjegjësimit e më pas do të kalohet në fazën e monitorimit për zbatimin e ligjit.

Zyra e Komisionerit ka bashkëpunuar edhe me herët me ekspertët e projektit “Bashkimi Evropian për Qeverisjen e Mirë”. Pjesa e parë e këtij projekti, i dedikohej zbatimit efektiv të ligjit nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”. Produkt i këtij bashkëpunimi ishte edhe hartimi i Komentarit për të dhënat e hapura, i cili përmban informacion të detajuar mbi parashikimet e ligjit nr. 33/2022, kompetencat e Zyrës së Komisionerit dhe detyrimet e organeve të sektorit publik dhe sipërmarrjeve publike lidhur me implementimin dhe zbatimin e këtij ligji. Ky Komentar është publikuar në faqen zyrtare të Zyrës së Komisionerit, ( https://shorturl.at/cpAFb ) dhe i është dërguar të gjithë organeve të sektorit publik dhe sipërmarrjeve publike për njohje dhe zbatim. Komentari u bë pjesë e diskutimit në këtë aktivitet nga ekspertet dhe pjesëmarrësit.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë