Mbrojtja e të dhënave personale, transparenca, inovacioni – IDPC prezanton një kulturë të re mbi privatësinë dhe transparencën në panairin Klik Ekspo Group

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është bërë pjesë e edicionit 31-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës “Klik Ekspo Group 2025”, i cili zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga data 5 deri më 8 nëntor 2025, me temë “Dritare drejt së ardhmes-Shqipëria 2030”.

Në këtë kuadër, Zyra e Komisionerit merr pjesë me një stendë të veçantë informuese, ku vizitorët mund të njihen me institucionin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

 

 

 

 

 

 

 

 

Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, IDPC ka përgatitur një seri materialesh të reja informuese, me qëllim thjeshtimin e kuptueshmërisë dhe lehtësimin e zbatimit praktik të ligjit. Vizitorët e stendës do të kenë mundësi të njihen me fletë-informuese tematike që trajtojnë çështje të tilla si: detyrat dhe roli i nëpunësit për mbrojtjen e të dhënave, vlerësimi i ndikimit në privatësi, dhënia e pëlqimit dhe format e tij, si dhe udhëzime të tjera praktike mbi të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kuadri i ri ligjor.

Në fushën e të drejtës për informim, Zyra e Komisionerit ndër të tjera sjell si risi Manualin Shpjegues të së Drejtës për Informim, i përgatitur në formë pyetjesh dhe përgjigjesh për ta bërë më të qartë zbatimin e kësaj të drejte. Manuali është i disponueshëm për publikun përmes kësaj lidhjeje https://idp.al/wp-content/uploads/2025/10/Manual-DDI-Light-2025.html.

Përveç materialeve informuese, stenda është e pasur me elementë ndërveprues dhe kreativë, si “Kutia e Mbrojtjes së të Dhënave dhe Transparencës”, një instalacion simbolik që fton vizitorët të tërheqin shprehje inspiruese dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e të dhënave të tyre personale dhe transparencës. Kjo qasje  sjell një formë të re komunikimi, duke e bërë vizitën në stendë një përvojë edukative dhe njëkohësisht të këndshme.

Gjithashtu, vizitorët mund të konsultohen me revistat e botuara ndër vite nga Zyra e Komisionerit, të cilat dokumentojnë rrugëtimin institucional, projektet me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe zhvillimet ligjore dhe teknologjike.

 

 

 

 

 

 

Si pjesë e aktiviteteve të panairit, Zyra e Komisionerit ka organizuar edhe një panel me temë “Mbrojtja e të Dhënave si Infrastrukturë e së Ardhmes Digjitale”. Ky panel do të zhvillohet më 7 nëntor 2025, nga ora 12:30 deri në 13:30, në Pallatin të Kongreseve dhe do të mbledh përfaqësues nga institucione publike, institucionet financiare, bizneset digjitale dhe startup-et, për të diskutuar mbi zbatimin e ligjit të ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe rolin e tij në ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt dhe të qëndrueshme digjitale. Gjithashtu në kuadër të programit të gjerë të panairit, Zyra e Komisionerit do të marrë pjesë në panelin “Cybersecurity & Digital Resilience”, duke ndarë perspektivën institucionale mbi ndërveprimin midis mbrojtjes së të dhënave dhe sigurisë kibernetike.

Pjesëmarrja në “Klik Ekspo Group 2025” është një mundësi mire për Zyrën e Komisionerit që të komunikojë drejtpërdrejt me publikun, të promovojë një kulturë të qëndrueshme të Mbrojtjes së të dhënave dhe të drejtës së informimit si dhe të nxisë edukimin si pjesë thelbësore e zhvillimit të një shoqërie të informuar.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe duke ndihmuar ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes në internet ju duket më interesante dhe e dobishme.

Politikat e privatësisë