Mbrojtja e të dhënave personale dhe teknologjia në fokus: Shqipëria pjesë e forumit më të madh botëror të industrisë mobile

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mori pjesë në Programin Ministerial të Shoqatës Globale të Industrisë Mobile, të organizuar në kuadër të Mobile World Congress Barcelona 2026. Ky aktivitet u zhvillua nga data 2 deri më 4 mars 2026 në Barcelonë, Spanjë.

Institucioni u përfaqësua nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, si dhe nga Drejtorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj. Pjerina Mema, të cilët morën pjesë në sesionet kryesore të forumit dhe në takimet e dedikuara për autoritetet e mbrojtjes së të dhënave.

Programi Ministerial mblodhi liderët globalë të telekomunikacionit, rregullatorë, autoritete të mbrojtjes së të dhënave personale, organizata ndërkombëtare dhe drejtues të industrisë së teknologjisë, duke u konfirmuar si platforma kryesore botërore e debatit mbi politikat që formësojnë të ardhmen e ekosistemit celular dhe ekonomisë dixhitale.

Diskutimet u përqendruan në sfidat që lidhen me inovacionin e shpejt teknologjik, garën globale në teknologji, investimet në rrjetet e komunikimeve elektronike, zgjerimin e teknologjive të gjeneratës së pestë, përfshirjen digjitale dhe rregullimin e ekonomisë së të dhënave. Privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale u trajtuan si elemente thelbësore për forcimin e besimit dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.

Një moment i rëndësishëm ishte tryeza e rrumbullakët me dyer të mbyllura “Forcimi i besimit dhe sigurisë përmes inovacionit të udhëhequr nga celularët”, dedikuar Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave nga rreth 22 juridiksione, ku u shkëmbyen përvoja dhe u diskutuan qasje të përbashkëta mbi ndërthurjen e politikave të privatësisë me zhvillimet e ekosistemit celular.

Në përfundim të programit u organizua edhe Darka e Privatësisë e Shoqatës Globale të Industrisë Mobile, një aktivitet ekskluziv vetëm me ftesë për autoritetet homologe dhe palët kryesore të interesuara.

Pjesëmarrja në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar forcon angazhimin e institucionit për të qenë pjesë aktive e diskutimeve globale dhe për të kontribuar në avancimin e standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale në epokën digjitale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë