Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale raportoi, përmes Sekretares së Përgjithshme, znj. Blerta Nerguti, mbi përmbushjen e detyrave të lëna nga Bashkimi Evropian në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në vijim të këtij procesi dhe në përmbushje të angazhimeve që rrjedhin nga Dokumenti i antarësimit – Qëndrimi i përbashkët i Bashkimit Evropian për Grupkapitullin e Parë – “Themelorët”, gjatë vitit 2025 Zyra e Komisionerit u përqendrua në plotësimin dhe konsolidimin e kuadrit nënligjor në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë kuadër, institucioni u angazhua në hartimin dhe miratimin e 10 akteve nënligjore, të cilat u përfunduan brenda një afati të shkurtër kohor, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përafrimit të plotë të legjislacionit kombëtar me standardet dhe acquis të Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Përmbushja e këtij detyrimi të lënë nga Bashkimi Evropian mori vlerësimin maksimal nga Komisioni Evropian gjatë mbledhjes së 17-të të Nënkomitetit “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, e zhvilluar në kuadër të dialogut institucional Shqipëri–BE për monitorimin e progresit në fushën e shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore.
Gjatë kësaj mbledhjeje, ekspertët e Komisionit Evropian vlerësuan gjithashtu punën e Zyrës së Komisionerit në drejtim të rritjes së ndërgjegjësimit publik për mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht përmes fushatave informuese dhe edukative me fokus tek fëmijët dhe të rinjtë. Këto iniciativa u konsideruan si një kontribut i rëndësishëm në promovimin e kulturës së mbrojtjes së privatësisë dhe respektimit të të drejtave themelore.
Ekspertët e Komisionit Evropian theksuan gjithashtu rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të Komisionerit nga institucionet e sektorit publik dhe privat, si një element kyç për garantimin e standardeve evropiane në mbrojtjen e të dhënave personale dhe forcimin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Në të njëjtën kohë, një vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale të Zyrës së Komisionerit. Në këtë drejtim, ekspertët nënvizuan rëndësinë e rritjes së burimeve njerëzore dhe financiare, si dhe të krijimit të infrastrukturës së nevojshme për të mbështetur funksionimin efektiv dhe të pavarur të këtij autoriteti.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbetet e angazhuar për të vijuar forcimin e rolit të saj mbikëqyrës, rritjen e transparencës dhe garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian, duke kontribuar në avancimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë.