Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP), në vijim të bashkëpunimit me projektin TAIEX, zhvilloi një vizitë studimore në Slloveni në datat 26–27 shkurt, me fokus zbatimin efektiv të ligjit nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me praktikat e institucioneve sllovene në implementimin e legjislacionit për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik, si dhe shkëmbimi i eksperiencave ndërinstitucionale në këtë fushë.
Gjatë qëndrimit dyditor, delegacioni i Zyrës së Komisionerit zhvilloi takime pranë Zyrës së Komisionerit për Informimin në Slloveni dhe Ministrisë për Administratën Publike. Në këto takime u prezantuan praktikat institucionale lidhur me trajtimin e kërkesave për ripërdorim të informacionit, procedurat e ankimimit, si dhe përvoja konkrete të bazuara në praktikat e Bashkimit Evropian.Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe çështjeve që lidhen me ripërdorimin e të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë shembuj praktikë mbi përdorimin e të dhënave dinamike.
Gjithashtu, përfaqësuesit e Ministrisë për Administratën Publike prezantuan rolin e tyre në monitorimin dhe mbikëqyrjen e organeve publike për zbatimin e legjislacionit për të dhënat e hapura, si dhe funksionimin e portalit qendror “Open Data” në Slloveni dhe mënyrën e ndërveprimit të tij me ripërdoruesit.
Në kuadër të vizitës u prezantua edhe eksperienca e bashkëpunimit me Universitetin e Administratës Publike për përgatitjen dhe publikimin e të dhënave të hapura, si dhe raste konkrete të ripërdorimit të këtyre të dhënave për zhvillimin e aplikacioneve dhe shërbimeve inovative.
Përfaqësuesit e Zyrës së Komisionerit përfituan njohuri mbi praktikat më të mira në fushën e të dhënave të hapura dhe diskutuan me ekspertët sllovenë përafrimin e praktikave shqiptare me standardet evropiane. Në emër të titullarit u shpreh mirënjohje për mbështetjen e ofruar nga TAIEX dhe institucionet partnere në Slloveni, duke theksuar se këto aktivitete forcojnë kapacitetet institucionale dhe përmirësojnë punën për zbatimin efektiv të ligjit nr. 33/2022.
