Certifikimi dhe akreditimi, hapa të rinj drejt standardeve më të larta në mbrojtjen e të dhënave personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me projektin “EU for Good Governance”, organizoi aktivitetin me temë “Certifikimi dhe Akreditimi në kuadër të Ligjit nr. 124/2024 ‘Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale’”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi dhe diskutimi i mekanizmave të certifikimit dhe procedurave të akreditimit, të parashikuara nga kuadri i ri ligjor dhe aktet nënligjore përkatëse, me synim rritjen e standardeve në përpunimin e të dhënave personale, transparencës dhe besimit të publikut.

Në fjalën e tij, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale si një element thelbësor për çdo kontrollues publik dhe privat, duke vënë në dukje se në thelb të këtij procesi qëndron mbrojtja e individit. Ai u ndal gjithashtu në sfidat e hasura gjatë zbatimit të legjislacionit, veçanërisht në sektorin publik, si dhe nënvizoi se ligji nr. 124/2024 sjell një qasje të re, duke synuar forcimin e standardeve pa cenuar funksionimin e institucioneve. Komisioneri theksoi se roli i institucionit mbetet mbikëqyrës dhe rregullator, ndërsa proceset e certifikimit dhe akreditimit do të kryhen nga organet përkatëse të përcaktuara me ligj.

Eksperti ndërkombëtar z. Zoran Jacev theksoi rëndësinë e trajtimit praktik të çështjeve që lidhen me zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke nënvizuar se shumë nga sfidat do të adresohen përmes praktikës dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me Zyrën e Komisionerit. Ai theksoi gjithashtu nevojën për komunikim të vazhdueshëm për zgjidhjen e problematikave konkrete dhe ndërtimin e praktikave të qëndrueshme në këtë fushë.

Në vijim të aktivitetit, znj. Pjerina Mema prezantoi në mënyrë të detajuar Udhëzimin nr. 08, datë 20.11.2025 “Për akreditimin e organizmave certifikues” dhe Udhëzimin nr. 09, datë 20.11.2025 “Për certifikimin dhe dhënien e vulave të mbrojtjes së të dhënave personale”, duke sqaruar procedurat, kriteret dhe rëndësinë e tyre në ndërtimin e një sistemi funksional certifikimi. Ajo theksoi se këto akte nënligjore përfaqësojnë zhvillime teknike të avancuara në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjatë diskutimeve, znj. Ana Kapanadze, eksperte ndërkombëtare e projektit,  trajtoi konceptin e përpunimit të të dhënave personale si një aktivitet specifik që mund dhe duhet të certifikohet, duke theksuar se certifikimi rrit besueshmërinë dhe krijon konkurrencë pozitive ndërmjet kontrolluesve. Ajo shpjegoi se Zyra e Komisionerit përcakton kuadrin ligjor dhe kriteret, ndërsa akreditimi i organeve certifikuese dhe krijimi i skemave të certifikimit mundëson zbatimin praktik të këtij procesi. Gjithashtu, ajo nënvizoi se certifikimi kërkon kohë dhe përgatitje, edhe për organizatat më të avancuara, dhe se një rol kyç luan përmbushja e standardeve teknike, si dhe garantimi i parimeve të konfidencialitetit, llogaridhënies dhe përgjegjësisë ligjore. Sipas saj, një element thelbësor për vlerësimin nga organet certifikuese është ekzistenca e një sistemi të qartë dhe efektiv të menaxhimit të të dhënave personale.

Aktiviteti shërbeu si një platformë e rëndësishme diskutimi me pyetje-përgjigje për institucionet publike, përfaqësues të sektorit privat dhe ekspertë të fushës, duke kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgatitjes për zbatimin e kërkesave të reja ligjore në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë