Forcohet transparenca në nivel vendor përmes Programit Model të Transparencës dhe nxitjes së të dhënave të hapura

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale zhvilloi në Tiranë një aktivitet trajnues me përfaqësues të njësive të vetëqeverisjes vendore, në kuadër të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies në nivel lokal. Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me programin “Bashki të Forta” (Helvetas) dhe Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).

Në fjalën e tij, Komisioneri Besnik Dervishi vlerësoi bashkëpunimin me partnerët për mbështetjen në hartimin e Programit të ri Model të Transparencës për njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe për organizimin e aktiviteteve ndërgjegjësuese në nivel rajonal. Ai theksoi se me urdhrin nr. 281/2025 është miratuar modeli i ri i Programit të Transparencës, ku një nga risitë kryesore është përfshirja e një fushe të dedikuar për Këshillat Bashkiakë.

Komisioneri nënvizoi se Këshillat Bashkiakë janë ndër organet më të rëndësishme vendimmarrëse në nivel vendor dhe transparenca e tyre është thelbësore për garantimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve. Ai rikujtoi se tashmë ka nisur faza e zbatimit konkret të Programit të Transparencës nga ana e bashkive, duke theksuar nevojën për publikim të saktë, të plotë dhe të përditësuar të informacionit në faqet zyrtare.

Në këtë proces, u evidentua roli kyç i sekretarëve të këshillave bashkiakë, si dhe rëndësia e bashkëpunimit me strukturat e teknologjisë së informacionit për të garantuar publikim funksional dhe të aksesueshëm për publikun.

Duke folur në këtë aktivitet, përfaqësuesi i programit “Bashki të Forta”, Erton Kashta, theksoi rëndësinë e rritjes së rolit të Këshillave Bashkiakë si organe vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse ndaj ekzekutivit vendor. Ai nënvizoi se transparenca konkrete matet edhe përmes elementeve të tillë si transmetimi live i mbledhjeve të këshillave, duke e konsideruar këtë një tregues të drejtpërdrejtë të hapjes ndaj qytetarëve. Sipas tij, mbështetja e ofruar nga projekti synon t’u japë njësive vendore instrumentet e nevojshme për përmirësimin e performancës dhe forcimin e rolit të tyre.

Në të njëjtën linjë, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Sotiraq Hroni, vlerësoi bashkëpunimin me Zyrën e Komisionerit dhe theksoi rëndësinë e Programit të Transparencës si një mekanizëm kyç për rritjen e llogaridhënies dhe për fuqizimin e rolit të Këshillave Bashkiakë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe zbatimit të ligjit nr. 33/2022 “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, i cili përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, aksesit dhe ripërdorimit të informacionit publik. U theksua se njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë një rol të veçantë në këtë drejtim, duke qenë niveli më i afërt me qytetarin dhe administrues të të dhënave me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme.

Rishikim i privatësisë

Kjo faqe interneti përdor cookie me qëllim përmirësimin e përvojës së përdoruesit.
Cookie-t ruhen në shfletuesin tuaj dhe mundësojnë funksione të ndryshme, përfshirë njohjen e vizitave të përsëritura në faqe, si dhe analizimin e mënyrës së përdorimit, në mënyrë që të kuptojmë cilat seksione ju duken më relevante, interesante dhe të dobishme.

Politikat e privatësisë